Profesori i njohur i arkeologjisë Neritan Ceka ka rrëfyer disa kujtime nga jeta e tij në fëmijëri gjatë një interviste në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.

Profesor Ceka theksoi se të dy prindërit i ka patur shumë të dhënë pas leximit, duke shtuar se nëna e tij ishte një enciklopedi, ndërsa babai i kishte mësuar kulturën e punës.

Ceka tregoi se babi ishte “gjerman” për nga korrektesa në punë dhe kërkesat që ai kishte për fëmijët e tij.

Pjesë nga biseda:

Neritan Ceka: Nëna kishte një etje leximi të jashtëzakonshme. Moikom Zeqo vinte me qëllim që ta takonte nënë time dhe thoshte: unë s’kam parë njeri të dijë kaq shumë nga letërsia.

Pranvera Borakaj: Me kë ishe më i lidhur?

Nertian Ceka: Me nënë patjetër. Por babi ishte me edukatë gjermane, një njeri që na mësoi se si të respektonim rregullat. Është njeriu që më vuri të punoj në mënyrë sistematike për tu bërë arkeolog. Më thoshte se pa gjuhë të huaja nuk mund të bëhesh arkeolog. Duhet të kem qenë në klasë të katër ose të pestë kur fillova të mësoj gjermanishten.

Pranvera Borakaj: Ju sot jeni zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja në mos gaboj?

Neritan Ceka: Ndoshta dhe më shumë. Ato që përdor mirë janë pesë, që përdor për të lexuar dhe për të shkruar, se ato që lexoj mund të jenë dyfishi. Megjithatë fillimi ka qenë autodidakt, nuk kam patur kurrë një mësues të një gjuhe të huaj, përveç rusistesh që e kam mësuar në shkollë. Gjuha ruse ka qenë një çelës për të lexuar dhe gjuhët sllav, mund të lexoj në serbokroatisht, në bullgarisht dhe maqedonisht që për mua është një gjuhë e përafërt. Kështu që ashtu si italishtja që e kam mësuar si gjithë shqiptarët fillimisht nga radio dhe më pas nga televizioni, ka qenë çelës për tu futur te frëngjishtja, e kam mësuar më pas në mënyrë sistematike, por e kam mësuar gjithmonë si autodidakt. Por ajo që ka qenë gjuha e parë ka qenë gjermanishtja, e kam mësuar që i vogël vetëm duke shfletuar librat e babit tim.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re