Analiza identifikon një retorikë të përbashkët mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me konfliktet në Ukrainë dhe Kosovë, si dhe reagimin ndaj sulmeve në Moskë. Kuvendi Ortodoks Serb në Beograd dhe avancimi i Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës, si dhe reagimet e liderëve serbë dhe Malit të Zi, shënojnë momente kyçe. Përveç kësaj, refuzimi i Kinës dhe Rusisë për të përkrahur rezolutën në OKB për armëpushim në Gazë, së bashku me njoftimin e Rusisë për formimin e një force ushtarake prej 100 mijë ushtarësh për një ofensivë në Ukrainë, janë faktorë të rëndësishëm. Në përfundim, Serbia dhe Rusia shfaqin potencial për të ndërmarrë veprime për të shtuar tensionet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë para datës 27 maj. Avancimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dëshmon për intensifikimin e konflikteve globale dhe rajonale. Rusia dhe BRICS interesohen për të ruajtur konfliktet aktuale dhe për t’i zgjeruar ato, duke preferuar vazhdim dhe zgjerim të luftës.

  1. Përputhja e deklaratës së Vuçiqit me Putinin për luftën në Ukrainë dhe Kosovë:

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar perëndimin se ata duhet të zgjedhin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai më tutje ka vazhduar se nëse e zgjedhin Kosovën, Serbia do të “presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë”.

Vuçiq këto kërcënime i ka forcuar mbi bazën se Kosova do të përkrahet nga perëndimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) dhe NATO. Në një letër urimi drejtuar Putinit për fitoren në zgjedhje në Rusi, Vuçiqi i ankohet atij për kinse “situatën e vështirë politike që po përballët populli serb në Kosovë” dhe se “serbët po vuajnë në Kosovë pogrom”, përsëritje kjo e fjalëve të njëjta që i kishte thënë edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Narrativa është e njëjtë sikur në situatën kur Putini kishte filluar invazionin në Ukrainë.

Në fjalimin e 23 shkurt 2022 ku Putin kishte urdhëruar trupat ruse të pushtonin Ukrainën ai thoshte se: “ishte e nevojshme të ndalohej […] gjenocidi kundër miliona njerëzve që jetojnë atje, të cilët mbështeten vetëm tek Rusia. […] përplasja e Rusisë me këto forca është e pashmangshme, […] dhe po presim kohën e duhur”. Sipas tij këto fatkeqësi po iu ndodhin rusëve në Ukrainë me mbështetjen e vendeve kryesore të NATO-së.

Ngjashmëria e dy deklaratave tregon mbi agjendën e përbashkët.

Deklarata e tanishme e Vuçiqit është përgatitje e diskursit dhe terrenit politik për ndërmarrjet e ardhshme paraushtarake dhe ushtarake që synon t’i ndërmarr në kuadër të përkrahjes që i vjen nga Rusia dhe Kina. Këto dy vende së fundmi bashkë me vendet anëtare të BRICS kanë qëndruar të vëmendshme ndaj thirrjeve për dërgim të trupave të NATO-së në Ukrainë.

  1. Përputhja e deklaratës së Vuçiqit me Putinin për sulmin terrorist në Moskë:

Sulmi terrorist në sallën koncertale në Moskë, nga Putini u konsiderua se tani “shteti rus është në luftë” kundër Ukrainës, pasi deri më tani Rusia invazionin e saj në Ukrainë e ka quajtur si “Operacion special ushtarak”. Vuçiqi në lidhje me këto sulme po ashtu deklaroj se “sulmi terrorist në Moskë është për ta eskaluar konfliktin në Ukrainë”. Pra, edhe Serbia si Rusia, luftën e kësaj të fundit kundër Ukrainës e ka quajtur “konflikt” dhe jo “luftë”, dhe Vuçiq konsideron se sulmi terrorist në Moskë e eskalon konfliktin në Ukrainë, pra në luftë. Një deklaratë tjetër në vijë me Rusinë.

  1. Angazhimi: Kisha Ortodokse – Serbia – Republika Srpska

Së fundmi, ka rrjedhur për media një deklaratë e ish-patriarkut tashmë të vdekur Pavle i cili thotë se: “Shqiptarët do të largohen nga Kosova dhe atje do të jetojnë vetëm serbët”.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka njoftuar se me 5 dhe 6 maj në Beograd dhe në pjesë të tjera të vendit do të mbahet Kuvendi i madh i Pashkëve i Serbisë dhe Republikës Srpska.

Data 5 dhe 6 maj janë data të shenjta për ortodoksët e krishterë, pasi me datën 5 maj shënohet Dita e Shën Gjergjit. Shën Gjergji është një nga shenjtorët më të rëndësishëm në traditën ortodokse lindore sllave, pasi ai është shenjtori mbrojtës ushtarak i cili zakonisht përshkruhet si një burrë duke hipur në kalë dhe duke vrarë një dragua.

Andaj jo rastësisht janë zgjedhur datat 5 dhe 6 maj për tu mbajtur Kuvendi i madh i pashkëve dhe për një konkluzion të tillë është rënë dakord, siç ka njoftuar kabineti i Vuçiqit, pas bisedimeve disa orëshe që ai pati me presidentin e Republikës së Serbisë, Milorad Dodik, me praninë e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KPS) Porfirije.

“Në atë Kuvend do të merren vendime të rëndësishme për mbijetesën e popullit serb në vatrat e tyre, përparimin e tij ekonomik, ruajtjen e gjuhës serbe dhe alfabetit cirilik dhe të trashëgimisë së përbashkët kulturore”, thuhet në njoftim.

  1. Kosova nga shtet vëzhgues në i asociuar në NATO:

Përparimi nga shtetet vëzhguese parlamentare në shtetet e asociuara me NATO-në nënkupton një përparim drejt bashkëpunimit dhe angazhimit më të ngushtë me NATO-në. Si vëzhgues parlamentar, vendet kanë mundësinë të marrin pjesë në punën dhe diskutimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së pa qenë anëtarë të plotë të organizatës. Ky status u mundëson atyre të angazhohen në diskutime, të fitojnë njohuri dhe të kontribuojnë në dialogun për çështjet e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes brenda Parlamentit të NATO-së.

Nga ana tjetër, të bëhesh një shtet i asociuar me NATO-në përfshin një nivel më të thellë partneriteti. Shtetet e asociuara kanë një marrëdhënie më formale me NATO-në, duke u mundësuar atyre të marrin pjesë në programe, aktivitete dhe iniciativa specifike të Aleancës. Ndërsa ata nuk janë anëtarë të plotë të NATO-s, shtetet e asociuara përfitojnë nga rritja e bashkëpunimit, mbështetjes dhe angazhimit në fusha të tilla si reforma e mbrojtjes, bashkëpunimi i sigurisë dhe praktikat demokratike.

Në thelb, kalimi nga statusi i vëzhguesit parlamentar në një shtet të asociuar pasqyron një hap të rëndësishëm drejt përafrimit më të ngushtë me parimet dhe objektivat e NATO-së, duke nxitur lidhje dhe bashkëpunim më të fortë në çështjet e sigurisë, duke ruajtur një status të veçantë para anëtarësimit të plotë në Aleancë.

Vuçiq ka reaguar duke akuzuar se perëndimi gjoja ka vënë në sanksione Kosovën por në anën tjetër janë të koordinuar ngushtë, si avancimi në NATO, KiE dhe liberalizimi i vizave. Ai tha se Kosovën do ta anëtarësojnë në KiE në ndonjë datë të veçantë ashtu siç e bënë për në NATO avancimin e saj. Vuçiq deklaroi se ata nuk do të bëhen kurrë pjesë e NATO-së dhe do ruajnë neutralitetin. Serbia madje ka kërcënuar që mund të largohet nga KiE nëse Kosova anëtarësohet në KiE dhe Mali i Zi ka paralajmëruar votë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Po ashtu, pas mbledhjes së Sigurisë së Serbisë, Vuçiqi deklaroi se: “Ne do ta shpëtojmë vendin tonë në rrethana shumë komplekse gjeopolitike. Detyrat janë të ndara dhe do të kryhen”. Pra, ai mbetet prapë në vijë kërcënuese me deklaratën që e kemi cituar tek pika.

  1. Rusia dhe Kina vënë veton së pari ndaj rezolutës së OKB-së të udhëhequr nga SHBA për armëpushimin e Gazës. Kjo mund të shihet në kuadër të asaj që vatrat aktuale të luftës të ruhen dhe të hapen të reja duke e mbajtur perëndimin të angazhuar në shumë vende.

Rezoluta megjithatë u votua për të bërë armëpushim gjatë muajit Ramazan dhe me mundësi drejt një paqeje por mbeti shenja e përçarjes globale dhe synimeve realiste të fuqive të mëdha që të përfitojnë në çdo rast kundër njëri-tjetrit.

Duhet të kemi parasysh se rezolutat nuk kanë karakter obligativ.

  1. Rusia do të mbledh një formacion të ri ushtarak prej mbi 100 mijë trupave për një ofensivë të re potenciale në pranverë në Ukrainë.

Konkluzione:

  1. Bashkëpunimi i Vuçiqit dhe Putinit në retorikë dhe qëllime tregon për një qasje të koordinuar ndaj sfidave të përbashkëta të destabilizimit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
  2. Angazhimi i Kishës Ortodokse Serbe në një kuvend në datë të shenjta ndërton një narrativë të përbashkët për mbrojtjen dhe përhapjen e interesave ortodokse në rajon.
  3. Avancimi i Kosovës në strukturat ndërkombëtare ka shkaktuar tensione të mëdha dhe ka rritur mundësinë e konflikteve të reja, veçanërisht në kontekstin e mospranisë së Serbisë dhe Rusisë për t’i pranuar këto zhvillime.
  4. Refuzimi i Rusisë dhe Kinës për një rezolutë për armëpushim tregon përpjekje për të ruajtur status quo-n në rajon dhe për të hapur hapësira të reja për konflikte edhe pse më vonë e njëjta u votua duke lënë gjurmët e përçarjes dhe synimeve realiste.
  5. Njoftimi për formacionin e ri ushtarak rus për një ofensivë potenciale në Ukrainë tregon për një situatë të tensionuar dhe mundësinë e eskalimit të konflikteve në rajon në të ardhmen.

*Hulumtues në Institutin OCTOPUS

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re