Si një kristian që jeton në Londër, është e lehtë të harroj se është Ramazan. Vazhdoj t’u ofroj kafe kolegëve muslimanë. Kjo është pritur në frymë pozitive: një thjesht, “jo, faleminderit”. Këmbëngula në një takim; ajo ishte vonë dhe dukej sikur kishte nevojë për pak ujë. “Po agjëroj,” tha ajo në fund. E ndjeva fytyrën time të skuqej ndërsa murmurisja një ndjesë.

Me gjithë kujdesin me të cilin shumica e muslimanëve perëndimorë e ndjekin agjërimin e tyre, disa e shohin atë si një problem, apo, më keq, si një oportunitet politik. Ministrja daneze e Imigracionit dhe Integrimit, Inger Stojberg, e përshkroi javën e shkuar agjërimin si “të rrezikshëm për të tërë ne”. Ajo druhej në dukje se shoferët e uritur të autobusave mund të përplaseshin, apo se një kirurgu të përgjumur mund t’i rrëshkiste bisturia. Është e tmerrshme që përkushtimi fetar dhe vetëpërmbajtja të shfrytëzohen si motiv për një sulm politik nga dikush në pozitë aq të lartë në qeverisje.

Kjo shfaqje e paditurisë së thellë për një disiplinë të tillë të rëndësishme spirituale shpërfill faktin se agjërimi ishte i përhapur në Krishterimin perëndimor (shumë prej kishave kristiane lindore ende agjërojnë gjerësisht).

Në të vërtetë, në vend të qenit një “rrezik”, ka përfitime të dukshme te agjërimi. Sipas një studimi të vitit 2014, agjërimi i kontrolluar mund të ndihmojë për “rënien e peshës, ngadalësimin e plakjes, përmirësimin e shëndetit”, e madje e ndihmon trupin tuaj të luftojë kanceret. Nga këtej po kemi diçka të një ndjekjeje në modë, me dietën 5:2 si një formë e agjërimit të herëpashershëm. Ndërsa metabolizmi ngadalësohet, njeriu djersit më pak; një efekt anësor i dobishëm veçanërisht i dobishëm kur Ramazani bie në verë. Sigurisht, nëse kërkohet të shfrytëzohet agjërimi për përfitime shëndetësore, atëherë kërkohet njëfarë vetëkontrolli gjithashtu në iftar dhe në syfyr. Ca miq muslimanë ankohen se po shtojnë në peshë gjatë Ramazanit. Atmosfera festive dhe tavolinat e shtruara të restoranteve arabe në Edgware Road të Londrës janë vërtet ndjellëse.

Por ky efekt anësor i përfitimshëm është thjesht një akt mbështetës për tërheqjen kryesore. Janë përfitimet shpirtërore që e bëjnë të veçantë agjërimin fetar. Bashkësia forcohet gjatë Ramazanit për muslimanët: agjërimi fillon dhe mbaron me familjen dhe bashkësinë në festim; Kur’ani lexohet i tëri, për më të angazhuarit ka lutje të përbashkëta të veçanta. Pastaj është ritmi i muajit, me rrapëllimën shpirtërore të daulles që bëhet më e ethshme dhe më e zhurmshme sa më tepër që i afrohet pikës kulmore.

“Më e ethshme dhe më e zhurmshme” është sigurisht një kritikë që u drejtohet nganjëherë muslimanëve dhe xhamive në Perëndim gjatë muajit. East London Mosque (një prej xhamive kryesore të Londrës) ka një shënim në orarin e saj të Ramazanit, të ndeshur zakonisht jashtë bareve dhe pub-eve të kryeqytetit: “Ju lutemi, respektoni fqinjët tanë kur vini dhe largoheni nga xhamia.”

Ritmi dhe bashkësia janë thelbësore për fetë abrahamike. Është shumë e lehtë për tokësoren të na largojë vëmendjen nga hyjnorja; ritmet shpirtërore na japin përqendrim. Adhurimi i përbashkët forcon lidhjen tonë me Zotin. Tre besimet (dhe shumë të tjera) ndjekin kalendare vjetore që na kujtojnë për aspektet e ndryshme të lidhjes së Zotit me njerëzinë.

Në traditën murgërore kristiane, agjërimi ishte po aq pjesë e disiplinës sa shtatë lutjet e përditshme. Rregulla e Shën Benediktit (rregullat e urdhrit murgëror benediktin) urdhëron agjërime javore të Mërkurave dhe të Premteve, si dhe “lutje private e qëndrim larg nga e pira dhe ushqimi” gjatë Kreshmës (ekuivalenti më i afërt që Krishterimi ka me muajin e Ramazanit). Shumë priftërinj jomurgërorë dhe shekullarë do t’i respektonin gjithashtu agjërimet e rregullta apo kufizimet e posaçme dietetike si pjesë e disiplinës së tyre shpirtërore.

Kjo ende bëhet në shumë prej botës kristiane, por në Perëndim e humbi dalëngadalë popullaritetin pas reformacionit, aq sa Kreshma tani kalon shpesh pa vëmendje, apo trajtohet në të njëjtën mënyrë si një vendim i Vitit të Ri: “Unë do ta pakësoj sasinë e kafesë që pi.”

Pjesë e arsyes për këtë mund të jetë mënyra si Krishterimi perëndimor është bërë një kërkim individual, e jo një i tillë i përbashkët. Ndonëse mbetet adhurimi i rregullt i përbashkët, viti ka humbur shumë prej ritmit spiritual që ende mbahet prej Krishterimit lindor, Judaizmit dhe Islamit. Ky është një turp, veçanërisht për kohezionin e bashkësisë që krijojnë aktivitete të tilla të përbashkëta, apo për shtysën shpirtërore të siguruar për pjesën tjetër të vitit.

Individualiteti i fesë perëndimore pasqyrohet në politikën perëndimore, por fryma e bashkësisë që krijon një agjërim kolektiv arrin tej grupit që e bën atë. Shumë xhami në Perëndim do t’i ftojnë jomuslimanët gjatë Ramazanit t’u bashkohen në mbarimin e agjërimit: dinjitarë dhe njerëz të zakonshëm. Kjo reflekton statusin e ligjshëm të muslimanëve si qytetarë të vendeve të tyre respektive dhe një pjesë integrale e bashkësive të tyre lokale. Politikanët e shqetësuar për integrimin duhet ta inkurajojnë këtë sjellje. Nuk ka asgjë kërcënuese rreth praktikës fetare muslimane që bën të ditur vendin e Islamit në shoqërinë më të gjerë; në fakt, mund t’i forcojë lidhjet e shoqërisë si një të tërë.

Janë të pakta përvojat kolektive në shoqërinë perëndimore në këto kohë. Por etja për aktivitet të përbashkët është e qartë. Një agjërim duket një kandidat po aq i mirë sa çdo tjetër; qoftë si moda më e fundit shëndetësore.

Marrë nga Radio 1 

Përktheu: Bujar M. Hoxha     

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re