Duhet theksuar qysh në fillim se projekti “Open Balkan” duhet perceptuar në radhë të parë si atentat i ri kundër shtetshmërisë së Kosovës: si rrezik real për likuidimin e dy fitoreve më të mëdha historike që arriti kombi shqiptar në Kosovë: çlirimin nga robëria serbe më 1999 (në saje të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s) dhe shpalljen e njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran në Tiranë, më 10 qershor 2007, nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush (i riu) e Prishtinë, më 18 shkurt 2008.

Shkruan: Abdi Baleta

Përmenden shpesh aftësitë e shqiptarëve për mbijetesë etno-kombëtare, pavarësisht se u është dashur të kalojnë nëpër peripeci të panumërta gjatë historisë së tyre. Duket se shqiptarët e kanë gjetur tashmë forcën çudibërëse për qëndresë në njëfarë somnabulizmi të tyre të veçantë kolektiv, politik e shoqëror. Prandaj historia e shqiptarëve edhe sot është e mbushur me përmbysje të papritura dhe zhvillime paradoksale.

Somnabulizëm diplomatik sinë filmin “I dashur armik”

Ky film u prodhua në vitet e para të demokracisë si për humor. Njerëz nga gjithë shtresat e kategoritë armiqësore të shoqërisë, të kohës së luftës e të paqes, kishin vendosur të jetonin e të shijonin në mënyrë krejt të re, së bashku, të mirat e kësaj bote. Ky film u harrua shpejt pa lënë shumë gjurmë se shqiptarët nisën menjëherë të shahen, të grinden e të gërricen dhe më keq se më parë. Këtë e treguan dhimbshëm zhvillimet tragjike të “Vitit të Zi” 1997, imazhet e të cilit na i kanë freskuar në kujtese këto ditë pamjet llahtarisësh që vijnë nga Kabuli.

Por, frymën e filmit “I dashur armik” shqiptarëve po përpiqen tani t’ua ringjallin në kujtesë, madje imponojnë si vijë sjelljeje politike, arkitektët e “projektit integrues” të emërtuar “Open Balkan”, që e personifikojnë e simbolizojnë me takimet e tyre të shpeshta e të bujshme tre pushtetarë të lartë ballkanas:presidenti serb Vuçiq, kryeministri maqedono-verior Zaev dhe kryeministri shqiptaro-“londinez” Edi Rama. Për ironi, ky projekt tribrinjësh duket si një kopjim nga formula e dikurshme e Ibrahim Rugovës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nëpërmjet “krijimit e njohjes së shtetit të saj të pavarur, të hapur për Serbinë e për Shqipërinë”, që nuk e pat tërhequr fare vëmendjen e diplomacisë së madhe ndërkombëtare, që ishte në kërkim të një “statusi përfundimtar për Kosovën”. Në “trojkën”e tanishme nismëtare për projektin “Open Balkan” vendin e Kosovës e zuri Republika e Maqedonisë së Veriut, meqenëse ky projekt është kryesisht një dredhi e kurdisur nga Serbia për t’ia imponuar atë Kosovës me statusin e “shtetit shtojcë”, “për hir të popujve tanë”, siç predikoi Zoran Zaev para disa ditësh në një mesazh drejtuar Albin Kurtit. Pastaj shohim e bëjmë për ato përfitimet ekonomike nga krijimi i tregut të përbashkët dhe qarkullimi pa pengesa i njerëzve.

Në Beograd vepron postulati i vjetër “Lufta për Kosovën fitohet në Shqipëri“

Prandaj duhet theksuar qysh në fillim se projekti “Open Balkan” duhet perceptuar në radhë të parësi atentat i ri kundër shtetshmërisë së Kosovës: si rrezik real për likuidimin e dy fitoreve më të mëdha historike që arriti kombi shqiptar në Kosovë: çlirimin nga robëria serbe më 1999 (në saje të ndërhyrjes vendimtare të NATO-s) dhe shpalljen e njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran në Tiranë, më 10 qershor 2007, nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush (i riu) e Prishtinë, më 18 shkurt 2008. Pa njohur e pranuar plotësisht Serbia rezultatet e pakthyeshme të këtyre dy përmbysjeve të mëdha në Kosovë nuk ka fare kuptim që arkitektët e projektit integrues “Open Balkan” t’i bëjnë ftesa dhe aq më pak trysni Kosovës të rreshtohet pas tyre në pozita diskriminuese. Në mënyrë të veçantë, nuk ka të drejtë Shqipëria të ushtrojë shantazh politik e diplomatik mbi Kosovën, që kjo të gjunjëzohet para projektit të “Serbisë së Madhe”. Është e njohur prej kohësh se në Beograd strategjinë e mbajtjes së Kosovës nën robëri e mbështesnin edhe në postulatin politik “Lufta për Kosovën fitohet në Tiranë”. Duket që Vuçiqi pikërisht këtë postulat ka vënë në themel të diplomacisë së tij ndaj Shqipërisë, kur nisi kontaktet me Edi Ramën në frymën “i dashur armik”. Tani ai po kërkon me këmbëngulje prej Ramës që këtë frymë ta injektojë edhe në Kosovë, siç ka arritur ta injektojë në njëfarë mase në Shqipëri, në një pjesë të politikanëve e propagandistëve serbofilë ose biznesmenëve e prodhuesve qelepirxhinj, kombëtarisht të zvetënuar. Prototipat më të spikatur të kësaj kategorie sot janë gazetarë, si Mero Baze e Mustafa Nano, që serbofilinë tyre e shpalosin me gulçimë të madhe, duke mbështetur politikën e Edi Ramës për “Open Balkan”, dhe duke përqendruar gjithë helmin e gjuhës së tyre kundër qeverisë së Albin Kurtit. Mustafa Nano, prej vitesh, është hequr “me krenari” më serb se serbët, ka treguar me gisht si shkaktarë të Luftës së Parë Botërore shqiptarët që deshën pavarësi, jo serbët që kërkonin pushtim tokash shqiptare; ka qortuar shqiptarët se krijojnë kot së koti probleme me serbët, duke mos u lëshuar disa kilometra për të dalë në ujërat e kripura në detin Adriatik etj.. Këto janë tregues bindës se shqiptarët nga ky projekt, i quajtur “Open Balkan”, shqiptarët nuk kanë përse të presin kurrfarë arritjesh të mira për ta, tani e më vonë. Përkundrazi, vëmendja e shqiptarëve duket të përqendrohet tek rreziku që u vjen nga projekti “Open Balkan” të drejtave dhe interesave të tyre madhore. Qysh tani duhet ta shohim qartë se Serbia e Vuçiqi e kanë kurdisur këtë projekt për të nxitur sa më shumë përçarje midis dy shteteve shqiptare, për të goditur e dëmtuar sa më shumë Kosovën, që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 jo vetëm qëndron si edhe më parë në pararojë të ballafaqimeve shqiptaro-serbe në tërësi, por ka zënë pozicionin kryesor për qëndresën shqiptare në ndeshjen e dy projekteve të kundërta politike nacionaliste, shqiptar e serb, në Ballkan.

Në Tiranë serbofilia çirret “mendoni si të shesim perimet, jo si të mbrojmë parimet”

Është e gabuar që këto acarimet e tanishme rreth projektit “Open Balkan” midis Shqipërisë e Kosovës të vështrohen e trajtohen në mënyrë amatoreske si të shkaktuara vetëm nga “mëritë e kapriçiot personale” midis Ramës e Kurtit, sikurse ua ka qejfi të thonë e të shkruajnë disa serbofilë hileqarë. Acarimet Kurti-Rama nuk janë thjesht luftë gjelash zemërakë ose përplasje demash të ndërkryer për përparësi dhe epërsi politike e pushtetore në arenën politike shqiptare. Këto acarime kanë bazë reale parimore, madje edhe një shtrat historik dhe ideor. Ato janë shprehje rrymash të caktuara e të njohura në politikën e mendimin politik të shqiptarëve dhe kanë të bëjnë sot në radhë të parë me perceptimin ndryshe të zgjidhjes së problemit të bashkimit kombëtar shqiptar. Rama tregohet dashamir e mbështetës ndaj projektit serb të “Serbisë së Madhe”, ngaqë është së pari kundërshtar i deklaruar i Shqipërisë Etnike të bashkuar (Shqipërisë së Madhe). Kurti është shprehur si mbështetës i bashkimit kombëtar shqiptar, në kufijtë e Shqipërinë Etnike. Këtu qëndron thelbi i ndryshimit të qëndrimeve midis njërit e tjetrit në marrëdhëniet me Serbinë e Vuçiqin. Kjo është një arsye më tepër të besohet se mjafton prania e Kosovës dhe e Kurtit në tryezën e “Open Balkan”, pa e njohur Serbia shtetin e pavarur të Kosovës, që Vuçiqi ta shpallë në Serbi e jashtë saj të fituar davanë e krijimit të “Serbisë së Madhe” dhe pastaj edhe të shpresojë qëndrimin e tij të gjatë në pushtet. Propaganda e Ramës për të mirat që do të kenë Kosova e shqiptarët nga “Open Balkan” në gjendjen e tanishme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë llafe të kota mashtruese. “Open Balkan” ka dështuar qysh në vezë.

Natyrisht Vuçiqi nuk ka nge të merret me “vogëlsira e batuta letrareske”, as të mahnitet fort me mrekullitë që Edi Rama ka thënë se do të bëhen në zhvillimin ekonomik të rajonit, kur të shkurtohet koha e qarkullimit të kamionëve që do të transportojnë krunde e hime të mykura nga Serbia, lakra, kumbulla e rrush të papjekur mirë nga Maqedonia dhe perime të hershme serash të ushqyera me nitrat e ndonjë ngarkesë kanabisi nga Shqipëria. Vuçiqi në radhë të parë e ka mendjen tek detyra e tij për të bërë realitet ëndrrat e vjetra e të reja të Serbisë për të dalë më në fund në bregdetin Adriatik si në territorin e vet, për të konsoliduar përfundimisht pozitën kolonizuese dhe rolin komandues të Serbisë si lokomotiva e gjithë zhvillimeve politike, ekonomike e kulturore në Ballkanin Perëndimor dhe si faktor që do të japë tonin në sjelljen e 6 vendeve ballkanike në marrëdhëniet midis Perëndimit e Lindjes. Kjo lojë e Vuçiqit ka vazhdueshmëri në kohë e vijimësi në synime e veprime. Prandaj është e kuptueshme dhe e logjikshme, sepse Vuçiqi vepron për sendërtimin e një projekti madhor të vjetër të nacionalizmit shoven serb. Absurde, e mbrapshtë, e rrezikshme për interesat kombëtare e shtetërore shqiptare, madje dhe logjikisht e pakuptueshme, është loja që po bën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kur merr rolin e protagonistit më të zellshëm për të sharë e mallkuar Bashkimin Europian dhe mendon e vepron si më i përbetuari për të bërë sa më parë “Serbinë e Madhe”. Vuçiqi përbetohet se nuk do të lejojë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”(Etnike). Rama përbetohet se nuk e ka ndërmend fare “Shqipërinë e Madhe” (Etnike) dhe nuk shqetësohet që “Open Balkan” mund të çojë në “Serbinë e Madhe”, si kolonizuese e xhandar në mes të Ballkanit.

Nga “Jugosllavia e tretë” në “Serbia e Madhe”

Projekti “Minishengeni ballkanik” ose “Open Balkan” është sajuar e paraqitur edhe për të shpërfytyruar e zhvleftësuar “Nismën e Berlinit” të vitit 2013 për krijimin e një “Unioni të Ballkanit Perëndimor” (Jugosllavisë së tretë), nën kujdestarinë e Gjermanisë e të Francës, gjoja për të përgatitur më mirë vendet e rajonit për t’u pranuar në BE. Pas “Nismës së Berlinit” nuk kishte mbetur më asnjë arsye për të kërkuar projekte si “Minishengeni ballkanik” e “Open Balkan”. Kështu që shfaqja e këtyre emërtimeve është thjesht një lojë e kotë dhe e pahijshme politike e diplomatike e tre pushtetarëve ballkanas inatçorë, që nuk mund të ketë të ardhme. Vuçiqi, Rama e Zaevi thjesht po mundohen të endin një vello të zhubrosur e të ndotur politikisht për të maskuar me të shëmtinë e “Serbisë së Madhe”, që tani e kanë shumë për zemër në Beograd, Moskë e Pekin. Prandaj të vjen pështirë kur sheh në ekranet televizive e në faqe gazetash atë fotografinë simbolike të tre burrave, ku dy trupmëdhenjtë më të ngrehur, Rama e Vuçiq, shtrydhin nga të dy anët më trupvoglin, Zaev, që të ndjehet mirësi një nyje lidhëse midis dy “ballkanasve gjatoshë”, dhe të kujtojë se kështu po merr meritat për kthimin në “shtete kufitarë” të Serbisë e Shqipërisë, që kanë mbetur pa kufij direktë qysh pas çlirimit e pavarësisë së Kosovës. Kjo “trojkë” udhëheqësish, më shumë ekzibicionistë se ambiciozë seriozë, ka marrë revanin aventuresk për të sfiduar me komente bajate (sidomos nëpërmjet batutave pa shije e vulgare të Edi Ramës) dhe vetë “Perëndeshën e integrimit”, Europën e Bashkuar, e cila vazhdon t’ua përplasë në fytyrë me shpërfillje “derën e hapur” të hyrjes në këtë Europë të 6 vendeve, të quajtura “Ballkani Perëndimor”.

Open Balkan” është edhe rrëfimi ri e një përrallmë të vjetër

Qysh para dy shekujsh kanë nisur ëndrrat, përpjekjet dhe projektet për një“Serbi të Madhe” në Ballkan, nën dominimin sllavo-grek, sipas parullës “Ballkani i ballkanasve”. Një kryeministër serb, Milovan Milovanoviç, në fillim të shekullit XX e justifikonte këtë synim me fjalët: “Për të gjithë ballkanasit ka mjaft vend në Ballkan, veçse turqit (lexo osmanët, shënimi im, A.B.) duhet t’i nxjerrim jashtë”. Tani është një president serb, Aleksandër Vuçiq, që tërheq pas vetes një kryeministër shqiptar dhe një kryeministër maqedono-verior, për të provuar se edhe në Ballkanin Perëndimor më të ngushtë ka përsëri mjaft vend për të realizuar një integrim të mirëfilltë e me vlera të shumta, pa ia pasur më tej nevojën atij integrimit të madh europian, që po ua refuzojnë. Veçse ende nuk përcaktohet qartë se kundër kujt po drejtohet më shumë mllefi për ta përzënë nga Ballkani, kundër BE-së apo SHBA-së, që të plotësohet ajo skema që ndërtonte Milovanoviçi. Këtë punë tani e ka marrë në dorë kryetari i sotëm i Serbisë, që u vetëshpall kumbarë i “Open Balkan”, me një emër që nuk ka asnjë kuptim, që madje le përshtypjen se është fyes për vendet ballkanike anëtare të BE-së, se i trajton ato si “Ballkan i mbyllur”.

Edhe modelin e “Serbisë sëMadhe”anti-perëndimore Vuçiqi e ka gjetur të gatshëm

Në vitin 1917, ende pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, në Korfuz u mblodhën përfaqësues politikë të sllavëve të Jugut dhe i dhanë formë idesë për krijimin e një shteti të tyre, që u quajt Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (më pas Jugosllavia), e dominuar nga serbët dhe e sunduar nga një dinasti serbe. Kjo miniperandori sllave pas Luftës së Dytë Botërore ra nën sundimin komunist dhe kur komunizmi pësoi disfatë në Europë në vitet 1990-‘91 u shpërbë. Në prag të shembjes udhëheqësi komunist Milosheviç e shpalli një strategji të tij: Nëse nuk ruhet siç është Jugosllavia e komanduar nga Serbia, atëherë ai do të përdorte forcën ushtarake për të krijuar në Ballkan një Serbi të Madhe. Për të realizuar objektivin e dytë, Milosheviçi hodhi popullin serb në katër luftëra gjenocidale në dekadën e fundit të shekullit XX. Serbia pësoi disfatat që dihen, veçanërisht në Kosovë pas bombardimeve të NATO-s. Milosheviçi përfundoi në Hagë si krimel lufte dhe vdiq pa dëgjuar një vendim gjyqësor përfundimtar për të. Nga strategjia e Milosheviçit pasuesit e tij në pushtet nuk ndryshuan asgjë në projektin e krijimit të“Serbisë së Madhe” anti-perëndimore. Përkundrazi, edhe pas disfatës së rëndë të vitit 1999 dhe 2008 në rastin Kosovës ata i shtuan përpjekjet për të detyruar shqiptarët të bënin hapa mbrapa, të pranonin përfshirjen e Kosovës në “Serbinë e Madhe”. Tani po kërkojnë që dhe Shqipëria t’i ngjitet si patericë mbajtëse kësaj Serbie. Zëvendësuesi i parë i Milosheviçit në krye të shtetit serb, Vojisllav Koshtunica, nëpërmjet gazetarit Baton Haxhiu, më 23 nëntor 2000, në një televizion të Shqipërisë përcolli shumë mesazhe me vlerësime e kërcënime arrogante në frymë milosheviçiane . Ai tha se Serbia i kishte kaluar ditët e saj më të këqija dhe paskëtaj kohët e liga do të vinin vetëm për shqiptarët. Sipas tij, të persekutuarit më të mëdhenj kishin qenë serbët e jo shqiptarët, në Kosovë, ku nuk kishte pasur gjenocid e reprezalje serbe të organizuara ndaj shqiptarëve, por vetëm kundëveprime të bandave serbe ndaj sulmeve të bandave shqiptare. Kosovës nuk i linte rrugë tjetër veçse të qëndrojë në kuadër të Serbisë. Shqiptarëve u bënte thirrje të heqin dorë nga ndjenja e pavarësisë dhe e zgjidhjes së problemit të tyre me bashkim kombëtar, të kënaqen me të drejtat e një minoriteti deri në nivelin e regjionalizmit spanjoll. U kërcënohej shqiptarëve se Serbia është më e fortë, kurse këta janë të dobët para saj dhe nuk kanë aftësi të realizojnë ndryshe të drejtat e veta. Koshtunica propozonte deri një bashkëpunim serbo-greko-maqedon si kontrollues mbi shqiptarët, sepse edhe Greqia e Maqedonia kishin interesa territoriale të ndërthurura me ato shqiptare etj.. Edhe presidenti serb Tadiç, që pasoi Koshtunicën në një paraqitje televizive në Tiranë, pat përcjellë mesazhin: “Ta dini se prej meje pavarësi të Kosovës nuk do të kini”. Ky ka qenë gjithnjë mesazhi-refren nga Beogradi. Ky është lajtmotivi edhe i politikës së presidentit të tanishëm serb Vuçiq, që po tund fort pankartën me mbishkrimin “Open Balkan”, si një flamur të variantit më të fundit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, e cila për ndryshim nga e kaluara do të përfshijë edhe Shqipërinë londineze, pra shënon një kthim mbrapa tek plani sllavo-komunist, që mbeti pa u realizuar në vitin 1948 për shkak të prishjes Tito-Stalin. Ky plan është nxjerrë praktikisht tani mbi tryezën e punës të Vuçiqit dhe Edi Ramës, me Zoran Zaevin si dëshmitar.

Rama po e kthen Shqipërinë në vitet 1945-’48, kur po e gllabëronte Jugosllavia

Ndonëse u bën thirrje shqiptarëve të mos e mbajnë kokën mbrapa tek historia e tek patriotizmi folklorik, por të shikojnë vetëm përpara si kali i karrocës drejt modernizmit, me qëndrimet e tij ai ndikon që rrota e zhvillimeve shqiptare të kthehet mbrapsht, drejt modelit më të keq e më të rrezikshëm të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, atij të viteve 1944-1948. Se çfarë përfaqësonte ky model më mirë ta mësojmë nga dikush tjetër, nga ish-ambasadori i parë sovjetik në Shqipëri në ato vite, D. S. Çuvahin, që në raportet e tij për udhëheqjen sovjetike ka pas pasqyruar sa vijon: “Faktet më dëshmojnë se përfaqësuesit e Jugosllavisë në Shqipëri tregoheshin mendjemëdhenj, nganjëherë nuk e merrnin parasysh krenarinë kombëtare të shqiptarëve, ndërhynin pa takt në problemet të cilat ishin thjesht të brendshme për vendin. Shumë rekomandime e propozime të këshilltarëve dhe përfaqësuesve zyrtarë jugosllavë, të cilët punonin në Shqipëri, synonin që t’ia nënshtronin ekonomisë e interesave të Jugosllavisë, ta bënin një shtojcë të lëndës së parë, një republikë të shtatë. Gjatë vitit 1947 Shqipërisë iu imponua marrëveshja për koordinimin e planeve ekonomike, për unifikimin e çmimeve dhe kursin e dinarit ndaj lekut shqiptar, për likuidimin e barrierave doganore, për krijimin e shoqërive të eksport-importit, të cilat për natyrën e tyre do të thoshin likuidim i monopolit të qeverisë shqiptare mbi tregtinë e jashtme. Shqiptarët i shihnin me dyshim kompanitë e përbashkëta shqiptaro-jugosllave që u shfaqën tek ata. I trembi ‘Komisioni i Koordinimit’, i cili kishte për detyrë të koordinonte planet ekonomike të palëve që binin në marrëveshje, ndërsa në të vërtetë synonte nënshtrimin e tyre ndaj interesave të ekonomisë jugosllave. Në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të atyre kohëve sundonte parimi i fshehtë ‘Rruga nga Tirana për në Moskë kalon nga Beogradi’” (“Shërbimi im diplomatik në Shqipëri, 1946-1952”).

Projekti “Open Balkan” është thjesht një rikthim në këtë gjendje të marrëdhënieve Shqipëri –Serbi. Prandaj këtij projekti i bëhet jehonë e madhe dhe në politikën e propagandën ruse sot, sepse ky projekt nënkupton se rruga për në Beograd edhe sot e afron Shqipërinë me Moskën, madje dhe me Pekinin. Marrëdhëniet shumë të ngushta midis Shqipërisë e Kinës u prishën në vitet 1970. Një nga arsyet e prishjes ishte se kinezët sugjeruan që Shqipëria të hynte në marrëdhënie të ngushta politike ekonomike dhe ushtarake me Jugosllavinë e Rumaninë. Tani “Open Balkan” mund të shërbejë për të mbushur disi edhe atë hendek që u thellua atëherë me Kinën. Pra “Open Balkan” për shqiptarët do të thotë largim nga SHBA, kundërshtari i madh i Rusisë dhe Kinës. Për dy dekada politika shqiptare pas rrëzimit të komunizmit përqafoi parullën “Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE kalon nëpër Athinë”. Tani kjo rrugë po devjion si autostradë drejt Beogradit dhe për ta pasur këtë si stacion të fundit integrues për shumë kohë. Prandaj Rama nuk po i kursen qortimet e mallkimet e deri fyerjet për BE-në. Rama para disa kohësh i kërkoi dhe mikut të tij socialist, Jorgos Papandreu, që Greqia të kthejë më shumë sytë nga Ballkani e të luajë një rol prijës në këtë zonë. Por, duket në Athinë ende e shohin me dyshim e xhelozi nismën “Open Balkan”. Edhe sikur grekët të ndërrojnë mendje e të kërkojnë rol prijësi në “Open Balkan” krahas Serbisë, kjo për shqiptarët do të jetë më keq, sepse forcohet boshti armiqësor tradicional Moskë–Beograd-Athinë.

Po diplomacitë e mëdha ku e kanë mendjen më shumëpërpara këtyre zhvillimeve?!

Për prapaskenat ku është thurur velloja e zhubrosur dhe e ndotur e Serbisë së Madhe, “Open Balkan”, duhet të kenë pasur me kohë dijeni diplomacitë e mëdha dhe mekanizmat euroatlantike e ruse, që kanë përzgjedhur e monitoruar “trojkën” Vuçiq-Zaev-Rama, sepse punë të tilla nuk bëhen krejt në fshehtësi. Për thurjen e kësaj velloje duhet të kenë endur fije diplomacitë jashtë-ballkanike, që kanë përcaktuar fatet e shqiptarëve (të shumtën e herës në dëm të këtyre) qysh nga Kongresi i Berlinit (1878) e deri në “Nismën e Berlinit” (2013) dhe në shpalljen publikisht të projektit “Open Balkan”, më 29 korrik 2021, në Shkup. Ndryshe “trojka” ballkanase nuk mundtë vepronte aq serbes sa ka vepruar, sidomos Rama. Duhet dyshuar se hapat e fundit nuk mund të jenë hedhur pa vënë të paktën në dijeni diplomacitë më të interesuara. Kjo na bën të rikujtojmë këtu se diplomacitë euro-amerikane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore çështjen e Kosovës e lanë për t’u trajtuar si pjesë përbërëse të Jugosllavisë, kurse Shqipërinë ia lanë si sferë ndikimi sllavo-komunizmit jugosllave sovjetik. Prandaj është e natyrshme të na lindin dyshimi dhe frika se edhe projekti “Open Balkan” mund të jetë një manovrim për të përsëritur zgjidhjet pragmatike të së kaluarës nga diplomacitë e mëdha perëndimore, duke sakrifikuar edhe një herë disa të drejta e interesa madhore shqiptare që të marrin me të mirë “Serbinë e Madhe”, si shtyllë e stabilitetit në Ballkan dhe si shpërblim të kërkojnë prej saj një pozicion më të baraslarguar midis Perëndimit, nga njëra anë, dhe Rusisë e Kinës, nga ana tjetër.

E kuptojmë që Vuçiqi e pranon të bëhet qesharak e të luajë më hipokrizi një rol të tillë për hir të përfitimeve që mund të nxjerrë për projektin e“Serbisë së Madhe”. E kuptojmë se Edi Rama për ekzibicionizmin e tij politik e diplomatik pa kufi dhe ambiciet e shfrenuara pushtetore, si dhe urrejtjen që duket se e ushqen për shqiptarët, nuk pyet se bëhet qesharak, kur nga një anë tregohet kundërshtar i vendosur i Shqipërisë së Madhe (siç kanë bërë gjithë qeveritarët e pushtetarët e Shqipërisë në tri dekadat e fundit paskomuniste), dhe, nga ana tjetër, të sillet si mbështetës i përbetuar i krijimit të “Serbisë së Madhe”. Por, ende nuk kemi arritur të dallojmë qartë se çfarë po e shtyn më shumë Zoran Zaevin të bëhet qesharak në këtë nismë?! Mos vallë vetëm zemërimi se diplomacia bullgare po ia ngushton e zgjat rrugën për në BE?! Apo se në Maqedoninë Veriore ka tani ndonjë rrymë më të fuqishme, që e ndjen veten më butë e më ngrohtë në krahët e Serbisë se në prehrin e Bullgarisë ose ngjitur për kurrizin e Kosovës e të Shqipërisë? (nëse severo-maqedonasit e quajnë vërtet të kapërcyer klimën e acartë në marrëdhëniet me Greqinë). Kështu, “Open Balkan” ka devijuar mjaft nga parametrat e vendosur në “Nismën e Berlinit”, ka përfunduar vetëm në një projekt për “Serbinë e Madhe”, si e donte Milosheviçi, që ia arriti qëllimit në Bosnje me krijimin e Serpska Republika, dështoi shumë në Kosovë, por idetë e tij po çajnë ngadalë përpara në Maqedoni dhe në Shqipëri.

Pra, nga të tre politikanët e pushtetarët “ikona të Open Balkan” i vetmi është serbi Vuçiq që e di mirë se çfarë dëshiron e çfarë bën. Para disa kohësh qarkulloi një tekst i quajtur “non paper”, që do të thotë “shkresë e pashkruar”. Analistët, në përgjithësi, e quajtën këtë një trillim qëllimkeq, pa shpjeguar mirë se ku qëndronte qëllimi i keq. Askush nuk e tha se ky “non paper” kishte dhe meritën se identifikonte saktësisht tre problemet më të vështira, që kanë mbetur pa u zgjidhur pas shpërbërjes se ish-Jugosllavisë: 1. fati i mëtejshëm i Bosnjë-Hercegovinës (ku implikohen Serbia e Madhe dhe Kroacia e Madhe); 2. problemi i bashkimit kombëtar shqiptar (ku implikohen Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia) dhe 3. fati i Maqedonisë (ku implikohen gjithë fqinjët e saj).

Kur po festonin 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, zotëri Ali Ahmeti bëri “zbulimin” se në tryezën e bisedimeve ishte dhe një çështje me rrezik të madh, ndarja e Maqedonisë. Aliu nuk ka përshkruar se cili ishte varianti konkret që u shmang. Kam përmendur në shkrime të mia të mëparshme se pikërisht në prag të shpërthimit të luftimeve shqiptaro-maqedone ekspertë francezë në Tiranë më bënin pyetjen “Çfarë mendimi keni për një vijë ndarëse horizontale në Maqedoni?” dhe varnin buzët kur u thosha se më mirë do të ishte një vijë vertikale. Këto janë muhabete më të freskëta, jo kuriozitete të vjetruara. Ata që shpërndanë atë “shkresën e pashkruar” kanë qenë në dijeni të asaj që zbuloi Ali Ahmeti. Ajo “shkresa e pashkruar” u hodh si ballonë prove. Të dhënat e grumbulluara nga ky eksperiment mesiguri po përpunohen, sepse fjala është për disa konflikte të ngrira në Ballkan, por që nuk bën të vështrohen si vullkane të shuara vetëm se nuk po nxjerrin llavë nga krateri. Pas “shkresës së pashkruar” nxori kryet dhe historia e bllokimit nga Bullgaria të hapjes së bisedimeve për Maqedoninë në BE, që nuk mund të jetë marrë pa konsultime paraprake në BE nga Bullgaria. Kështu edhe projekti“Open Balkan” nuk duhet parë vetëm si kujtesë nostalgjike e vonuar e formulës “Ballkani për ballkanasit”. Këtë na e provoi kryeministri i Hungarisë, një vend anëtar i BE-së, që shkoi në Serbi dhe deklaroi se Serbisë i takon të luajë rolin prijës e komandues në Ballkanin Perëndimor.

Ç’është tradhtia e kush mund të jenë tradhtarët?

Kjo është prej kohësh temë debatesh midis shqiptarëve. Etiketimet “tradhtar” dhe klithmat “këtu ka tradhti” nuk kanë munguar asnjëherë në ligjërimin politik, në propagandë, apo në diskutimet në kafenetë e odat shqiptare. Por, asnjëherë nuk është dhënë ndonjë përkufizim për “tradhtinë”e tradhtarin” që t’i lehtësojë me të vërtetë këto debate. Në praktikë shpesh gjërat ngatërrohen keqas: tradhtari pranohet për patriot e patrioti njolloset si tradhtar, për të njëjtat bëma. Debate të tilla kanë marrë zjarr me vrull edhe tani në qëndrimet që janë mbajtur në Shqipëri ndaj projektit “Open Balkan”. Kozmopolitët, sllavo-grekofilët, liberalistët, globalistët, anti-nacionalistët e shumë fytyrave e ngjyrave janë hedhur në sulme kundër çdo vërejtjeje që bëhet për “Open Balkan” dhe i cilësojnë pa ngurrim si kinse-patriotë ata që kanë treguar me kohë se punët duhen vështruar ndryshe pa rrezikuar interesat madhore kombëtare, kur hyhet në kontakt e bëhen ujdi me fqinjët, se duhet mbajtur mirë parasysh historia. Kemi dëgjuar këto kohë plot propagandistë çjerramanë se për fqinjët duhet të mendojmë vetëm mirë, se tani duhen vështruar para së gjithash interesat konkrete, sjelljet pragmatiste. Këta janë zërat që u bëjnë shumë jehonë shpjegimeve që jep pa pushim kryeministri Rama për “mrekullitë e Open Balkan”. Nuk kanë munguar as reagimet e shumta të forta në kahje të kundërt, deri në qortime për tradhti e tradhtar ndaj qëndrimeve e fjalëve të tij. Nuk ka munguar as reagimi tradicional i të indoktrinuarve me stereotipat e klishetë e së kaluarës, që bëjnë paralelizmin midis Edi Ramës e Esat Pashtë Toptanit “ikonës së tradhtisë” (sipas mendjes së shumë shqiptarëve). Më të theksuara reagime të tilla kanë qenë në Kosovë, ndonëse dhe atje duhet të ketë pasur e ka më shumë se një Esat dhe më esadistë se vetë Esati. Kështu, klishetë e stereotipat e shkuara mbi patriotizmin e përfolur shqiptar dhe tradhtinë e pranuar si patriotizëm po i bëjnë lëmsh arsyetimet e njerëzve tani, kur me të vërtetë tradhtia e tradhtarët kanë hyrë më shumë se kurrë(për nga numri e rrezikshmëria) në jetën politike kombëtare e shtetërore shqiptare. Ndikimet e këtyre turbullirave e kanë shtrënguar dhe kryeministrin të reagojë disa herë me shprehje të tilla “ku është tradhtia në veprimet e mia?”, “më quani ‘tradhtar’, por kam vendosur ta bëj deri në fund punën time”, “ftoj edhe Kosovën të mos e izolojë më tej veten duke paraqitur kundërshtime për këtë nismë” (Open Balkan).

Për këto debate ka shumë për të thënë. Këtu dua vetëm t’i bëj të ditur lexuesit se përkufizimin më të saktë deri tani për “tradhtinë dhe tradhtarin” e kam gjetur në librin “Shqipëria në vitet 1912-1944”, me kujtimet e intelektualit tiranas Xhemal Kusi, botuar në vitin 2020, pasi ishin mbajtur fshehur në Institutin e Historisë për shumë dekada. Pikërisht kur trajton figurën e Esat Pashë Toptanit ai bën përkufizimin: “Fjala ‘tradhtar’ është tepër e randë dhe si i tillë mundtë quhet vetëm ai, i cili ka paturpësinë të ndihmojë një shtet të huej në pushtimin prej këtij të atdheut të vet. Pra si mundet atëherë të quhet ‘tradhtar’ një njeri, i cili, përkundrazi përpiqet e lufton me çdo kusht për t’u ba mbret pikërisht i atdheut të vet si në rastin konkret. Pse ashtu u pëlqeka disave ta akuzojnë?! Kjo nuk mund të merrte si bazë e dokument”. Xhemal Kusi shton: “…nuk do të ishte lehtë, që për akuza të trillueme prej mënive personale, për grindje partish politike, për antagonizma krahinare dhe fetare që mbretnojshin në ato kohë të ngrehej sot e t’lenet vulën e tradhtisë pa e shoshit, testërue dhe pa e shqyrtue dokumente një bashkëatdhetarit të vet…”. Pothuajse në të njëjtë kohë Fishta ka shkruar vargje me klithmën dëshpëruse “Perëndi a ndieve (dëgjove)/ tradhtarët na lanë pa atdhe/ e Ti rrin gjuan rrufe/ mbi maja lisash”. Në ato kohëra kur shkruanin gjithë pezm Xhemal Kusi e Gjergj Fishta, galeria e figurave që mund të përgojoheshin si “tradhtarë që po linin shqiptarët pa atdhe ”ishte ende shumë e varfër. Tani, pas një shekulli ajo është stërmbushur me figura që janë përgojuar ose mundtë dyshohen për tradhtira. Prandaj për të gjykuar mbi “meritat” e rreziqet që shoqërojë projektin e “Open Balkan” nuk duhet të vështrojmë vetëm fotografitë e “trojkës” entuziaste e fodulle Vuçiq-Zaev-Rama, por shumë fakte dhe ndodhi, të njohura e të panjohura, që lidhen me këtë temë para se të krijojmë bindjen se nuk mund të jetë vetëm miqësia që kanë arritur të ndërtojnë Vuçiqi e Rama sipas psikologjisë “i dashur armik”, që po motivon nismën e “Open Ballkan”. Këtu më vijnë ndërmend edhe fjalët e poetit rus Lermontov se: “Nga dy miq, njëri është rob i tjetrit”. Kam bindjen se në rastin konkret Rama po sillet si rob i Vuçiqit dhe kjo ndodh se presidenti serb po mbron fort një kauzë të njohur të nacional-shovinizmit serb, krijimin e “Serbisë së Madhe”, madje në variantin e sotëm më agresiv, si mbrojtje me luftëra deri në sinore të reja, deri në kufijtë e shtrirjes së “botës serbe”. Kurse Rama mohon e braktis një kauzë të nacionalizmit shqiptar, bashkimin kombëtar në kufijtë e Shqipërisë Etnike.

#Shenja.tv

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re