Nga Alban Gorishti

Para disa ditësh vizitova panairin e librit në Tiranë dhe duke u larguar prej tij rrugës pashë rindërtimin e shtrenjtë post modernist që po i bëhet i piramidës së ish diktatorit. Aty një ngërç psikomatik më përfshiu llogjikën dhe mendova në një antonomi të habitshme midis kulturës së brendshme që manifeston panairi i librit dhe pushtetomania si reminishencë totalitare konsumiste që përçohet nga ndërtimi i këtyre obekteve nëpërmjet të cilave dikur u lartësua kulti i individit dhe individi kult. Dikur madhështia e piramidave simbolizonte “madhështinë” e individit (faraonit) ndaj sa më e lartë të ndërtohej piramida aq më gjatë kishte për tu kujtuar faraoni në pushtet. Kështu edhe kjo piramidë pasi pashë tjetërsimin shumë herë më të madh të saj, në projektin e pasqyruar kudo përgjatë sheshit të rindërtimit, më kujtoi se megalomania e projekteve pasqyron pikërisht supermegalomaninë e ndërtuesit të tyre edhe pse sot njerëzit paguhen për punën që bëjnë ndërsa dje skllevrit thjesht qëndronin gjallë, përsëri kohët kanë modalitetet e veta por përsëriten në një mënyrë të habitshme. Dikur pushtetmbajtësit përlavdoheshin nëpërmjet nofkave apo atributeve gjuhësore, shprehje si, pa ty ne nuk do ishim këta që jemi,mbreti, gjigandi, shpresa jonë, babai i popullit, udhëheqja e shëmbëllyer në një njeri etj, ishin shpesh të përdorura si mjet për t’iu afruar udhëheqësit.

Sot këto shprehje janë zhvilluar me të tjera si ato të tipit, ju nuk dini asgjë, unë di gjithçka, edhe pse ndonjëherë janë artikuluar më shumë, janë nënkuptuar nëpërmjet vendimeve unanime dhe kalçifikimeve egoiste kleptomane*. Kështu kjo panoramikë më kujtoi disa fragmente nga historia jonë, atë ku pejgamberi ynë shpesh ia ndërronte emrat njerëzve që nuk kishin një të tillë me kuptim të mirë, kështu Ekberin (madhështi) e bëri Beshir ( Përgëzues). Si dhe në një transmetim, ai tha: Emri më i poshtër tek Allahu është kur dikush emërtohet “mbreti i mbretërve” Transm Muslimi. Kjo tregon se në Islam ekziston një raport mjaft të ndjeshëm midis pushtetmbajtësit, dijes shpirtërore dhe mëkëmbësve. Nëse libri shpesh na mëson një gjë atë në qytetërimet moderne na e anullon llogjika ekzsitencialiste që shpesh shfaq marketingu globalist. Kështu pra shteti shekullar, në kapacitetin e tij sovran, ka fuqinë që ta përcaktoj interesin publik duke iu adresuar opinionit publik dhe rendit të tij të prioriteteve, maslaha-ja në ligjin islam nuk është e përcaktuar nga vullneti i lirë as i autoritetit politik dhe as i opinionit të masave…. marrim një shembull: Asnjë aprovim i opinionit publik ose mbështjetje qeveritare nuk mund të miratoj/sanksionoj kamatën (riba) apo ta transferoj atë nga kategoria e të ndaluarës në atë të interesit të përgjithshëm të pranuar. Kështu nga ana tjetër në Islam interesat klienteliste të dikujt nuk mundet të shndërrohen në realitet totalitar të pushtetmbajtësit, apo ëndërra teorike të vullnetit konsumist të mekanizmave kapitaliste.

Përkundrazi në Islam aty ku gjendet dija afër saj gjendet edhe respekti reciprok, interesi sublim i shoqërisë, e drejta e pashkelur, drejtësia ekologjike, etika shpirtërore dhe mbi të gjitha kujtesa historike. Për këtë po përcjell një transmetim në të cilin thuhet se Umerit radijallahu anhu i erdhi një pasuri, të cilën filloi ta shpërndante mes njerëzve, të cilët u dyndën tek ai. Ndër të tjerët erdhi dhe Sad bin Ebi Uekasi duke i shtyrë njerëzit derisa arriti tek ai. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe tha: Ti u afrove duke mos iu trembur sundimtarit me të drejtën e Allahut, ndaj doja të të bëj me dije se sundimtari me të drejtën e Allahut nuk druhet para teje. (Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar librit et-Tabekat të Ibn Sadit). Ky respekt dhe drejtësi reciproke ndodh vetëm kur dija të përjetohet, besniku të respektohet, perversi të dënohet, ligji të nderohet, egua të kufizohet, shpirti të ndërtohet, kultura të vlersohet dhe mbi të gjitha i padrejti të ndalohet pavarsisht pozitës së tij. E nëse zullumqari falenderohet dijeni se shkatërrimi nuk mundet të ndalohet.

  • Kleptomania është paaftësia për t’i rezistuar dëshirës për të vjedhur sende, zakonisht për arsye të tjera përveç përdorimit personal ose përfitimit financiar. E përshkruar për herë të parë në 1816, kleptomania klasifikohet në psikiatri si një çrregullim i kontrollit të impulsit. Disa nga karakteristikat kryesore të çrregullimit sugjerojnë se kleptomania mund të jetë një çrregullim i spektrit obsesivkompulsiv, por gjithashtu ka ngjashmëri me çrregullimet e varësisë dhe të humorit.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re