Ish-sulmuesi i njohur i Tomorit, Saimir Maloku, e quan poshtërsi atë që FSHF u ka bërë beratasve në sezonin 1999-2000. Lojtari që u kthye në një idhull të tifozëve të Tomorit, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” emocionet e mëdha që ka përjetuar në sezonin 1999- 2000. Ish-sulmuesi nga Fushë-Kruja, që erdhi i panjohur në Berat, më pas u bë pjesë e historisë, duke formuar një dyshe për t’u pasur zili me kryegolashënuesin e atij kampionati, Klodian Arbri.

Maloku

Saimir Maloku dhe Afrim Deliu kur luanin për Tomorin

Saimir, dy dekada më parë ishit pjesë e Tomorit nënkampion, skuadrës që bëri histori në sezonin 1999-2000. A mund të rikujtojmë disa momente nga ai sezon për lexuesit e “Panorama Sport”…?

Patjetër, me kënaqësi për lexuesit tuaj dhe tifozërinë e mrekullueshme beratase, që ishte fantastike në kohën kur isha pjesë e Tomorit. Më ngjall emocione fakti që po e tregoj atë histori. Isha pjesë e Laçit në sezonin 1998-1999 dhe në fazën e dytë kalova te Tomori me ftesë të trajnerit Kiço Mile, bashkë me qendërmbrojtësin Afrim Deliu. Më pas na u bashkua edhe mesfushori Besnik Hasa. Na pëlqeu projekti i teknikut Mile, i cili na foli për ambiciet e Tomorit, që kërkonte pjesëmarrjen në Europë, pasi kishte mbështetjen e fuqishme financiare të presidentit të ndjerë, Adrian Çobo. Dua të kujtoj një detaj interesant: para se të vija te Tomori, i kisha shënuar kur luaja me Ilirinë.

Si vijoi rrugëtimi juaj me Tomorin, si ju pritën dhe a patët probleme me ambientimin?

Nuk e kishim imagjinuar atë mikpritje dhe atë ambientim të menjëhershëm. Vinim nga Fushë-Kruja dhe dallonim si futbollistë që kishim karakteristika të njëjta ata të Tomorit, sepse luanim fort fizikisht dhe ambienti i zjarrtë sikur na elektrizonte. Kjo na futi pa asnjë problem në rrjedhën e skuadrës. Unë dhe Deliu e nisëm titullarë dhe ashtu vazhduam derisa u larguam.

E nisët me gol te Tomori, duke fituar menjëherë respektin e drejtuesve dhe tifozëve beratas…

Po, ishte një fitore dramatike, me përmbysje 2-1 në pjesën e dytë me Apoloninë në Berat. Kam shënuar golin e parë, që më çoi në ekstazë mua dhe tifozerinë në një ndeshje “vaterloje” për shkak të shiut. Ndeshja në Laç ishte ndeshje karakteri, pasi luanim bashkë me Deliun si kundërshtarë në një fushë shumë të vështirë.

Nuk munguan provokimet e drejtuesve dhe as sharjet dhe ofendimet e tifozërisë vendëse. Kemi luajtur ndershëm, pa asnjë lloj frike nga presioni. Laçi luftonte për mbijetesën dhe atë sezon ra nga kategoria. Ajo ndeshje në fund dha një shfaqje të shëmtuar, sepse Dedë Ndreca dhunoi me shkelma mbrojtësin tonë, Eduard Aliaj.

Tomori që në sezonin 1998-1999 bëri një paraqitje të shkëlqyer, aq sa për pak nuk kapi Kupën UEFA…

Mendoj se nga vendi i 14- të, ku e nisëm fazën e dytë, shkuam shumë larg, aq sa për 1 pikë diferencë u dogjëm nga pjesëmarrja në Kupën UEFA. Atë fazë të dytë na veçuan si një skuadër të fortë dhe cilësore, sepse morëm dy barazime në fusha ferri si Laçi dhe Peqini, por hodhëm edhe piketat për sezonin 1999- 2000, kur Tomori do të bënte historinë në futbollin shqiptar. Kisha fatin të isha pjesë e atyre emocioneve të mëdha.

Krista Mile Tomori

Saimir Maloku, Kristaq Mile, Afrim Deliu, Besnik Hasa dhe Ismet Ajazi duke festuar pas fitores me Tiranën në vitin 2000 FOTO: E.Spahiu

Si do ta vlerësonit atë projekt, që e bëri Tomorin të pretendont për titull, duke rivalizuar me Tiranën?

Piketat u hodhën, siç e thashë, fazën e dytë të kampionatit të mëparshëm. Së pari, ishte investimi i jashtëzakonshëm i ish-presidentit Adrian Çobo dhe familjarëve të tij. Ata bënë një investim kolosal, ku trajtimi financiar dhe premiot për rezultatet pozitive ishin një shtysë për gjithë skuadrën. Gjithçka funksiononte në harmoni të plotë, ishim si një familje, por edhe me drejtuesit e klubit, tifozët, pushtetin vendor, biznesmenë e dashamirës që sponsorizonin. U krijua një atmosferë e ndezur dhe të gjithë kanë nostalgji për mënyrën si ndizeshin stadiumet kur luante Tomori.

Po kontributi juaj personal, në çfarë niveli ishte?

Ne funksiononim si një skuadër kompakte, me një harmoni të shkëlqyer, ku disiplina e lartë e kërkuar nga presidenti dhe tekniku Mile na detyronte të luanim të gjithë për interesat e Tomorit. Kisha fatin të kisha si partner në sulm Klodian Arbrin, i cili doli shënuesi më i mirë i kampionatit. Shënova 12 gola, ku si më të bukurit do të veçoja ata të shënuar ndaj Dinamos dhe Partizanit, në dy fitore të rëndësishme në Berat. Po kështu, edhe loja e Deliut dhe Hasës ka qenë e niveleve të larta, e vlerësuar maksimalisht në atë kohë nga specialistët

EDI SPAHIU 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re