Aktorja Violeta Manushi mund të ketë pasur shumë role në
film e në teatër, por Ollga te filmi “Zonja nga qyteti” e bëri atë të
pavdekshme. Mbase për shkak të një karakteri të ngjashëm ishte pothuajse njësoj
i suksesshëm edhe roli i saj te “Pallati 176”, por për shkak se nuk ishte
boshti i kësaj komedie, teto Rita nuk arriti përmasat e teto Ollgës.

Disa ditë më parë, në datën 6 mars, Violeta Manushi do të
bënte 90 vite jetë, ndërsa në korrikun e afërt bën thuajse 9 vite që është
ndarë nga jeta. Nga ana tjetër, edhe filmi i famshëm i regjisorit Piro Milkani,
pikërisht këto kohë bën 40 vite që kur është realizuar. Për të dyja këto arsye
kërkuam këtë intervistë me regjisorin që të mos ishte për të kujtuar Manushin,
nuk do të pranonte.

Me Violetën, Milkani dhe bashkëshortja e tij, Bebi
Kristidhi, kanë ndarë më shumë se sheshxhirimin. Rrethanat erdhën të tilla që
të dy të jetonin në një hyrje pallati, prandaj edhe marrëdhënia u bë më e afërt
se me kolegët e tjerë. Nuk është fare e rastësishme prania e Violeta Manushit
te filmi i fundit i Milkanit “Trishtimi i zonjës Shnaider”.

Megjithëse ishte në moshë, atyre viteve (ata që kanë pasur
rastin ta shohin tek shëtiste me ndihmën e një bastuni në rrugët e ish-Bllokut,
thuajse 10 vite më parë, e dinë për çfarë po flasim) në shenjë falënderimi për
gjithë suksesin e filmit “Zonja nga qyteti”, por edhe për shkak të vijimësisë
së miqësisë së tyre, Milkani e mori Manushin në Çeki, ku u bënë xhirimet e
filmit e ku ajo, njësoj si gjatë gjithë karrierës së saj, rrinte në këmbë në
pritje të pjesës së saj, po aq e disiplinuar sa ç’ishte në kohën e energjisë…
Për këto e të tjera, regjisori mik i Manushit, do të na flasë më gjatë…

Kanë kaluar kaq shumë vite dhe ndoshta ju nuk i keni më kujtimet aq të qarta, por kujtoni me siguri se si është ngjizur filmi më i parë e i dashur shqiptar i të gjitha kohërave?

Komedia ishte një zhanër, me të cilin unë nuk isha marrë. Regjisorë të ndryshëm kanë prirje të ndryshme dhe deri atëherë kisha punuar për 14 vite si drejtor fotografie në Kinostudio, kisha bërë filma me tema historike, deri sa mendova të provoj komedinë. Kjo nuk ka qenë komedia e parë, nuk mund të qëlloja menjëherë në shenjë.

Ishte viti 1974 kur i propozova Kinostudios të bëja “Çiftin e lumtur”. Edhe kjo ishte një komedi interesante që ishte shfaqur në variantin teatral në Shkodër. Suksesi i këtij filmi të parë i këtij zhanri më dha zemër, megjithatë me gjithë mirëpritjen e të gjithëve, nuk arriti te çmimet e mëdha sepse atëherë ato i ‘përvetësonin’ filmat me tema politike. Dy vite më vonë, në 1976, ndihesha më i sigurt dhe vendosa të realizoj “Zonjën nga qyteti”.

Që ishte vënë gjithashtu si teatër në Korçë e Tiranë…

Po, ishte vënë nga trupa e Korçës dhe ajo e Tiranës dhe këtu
vështirësohej pak puna. Jo se unë isha në dilemë se kë do të zgjidhja mes dy
Ollgave, por se zgjedhja ime shkaktoi pakënaqësi.

Mes Ollgave?

Po, Dhorka Orgocka që bënte Ollgën në Teatrin e Korçës nuk e
priti mirë zgjedhjen time, u mërzit e mbase do të mërzitej kushdo.

Në fakt, ju pse zgjodhët Violetën?

Në kompleksitet figura e saj më qëndronte më mirë. Për shkak
të psikofizikës së saj, ishte më e përshtatshmja. Në atë kohë, Violeta ishte në
të 50-at, mosha e duhur për atë rol, ndërsa Dhorka ishte më e re. Tani është
pak e vështirë të përfytyrosh një Ollgë tjetër, nga ana e teleshikuesit them,
por bashkëkohësit që mund t’i kenë parë të dyja në teatër dinë të bëjnë
dallimin.

Pavarësisht psikofizikës së Ollgës, një pikë e fortë e këtij filmi ngelen pa dyshim batutat, që i përsërisim të gjithë njëkohësisht me aktorin kur shfaqet filmi…

Kjo është pa dyshim meritë e Ruzhdi Pulahës. Edhe për të, ky film ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Sigurisht që teksti kishte nevojë të ripërshtatej nga teatri në film, prandaj me Pulahën duhet të punonim sërish. U bë përzgjedhja e aktorëve me të rinj nga Teatri i Korçës dhe i Tiranës e mandej u vendosën vendet ku do të xhirohej.

Një vend si Tushemishti, që më duket se keni qenë ju që e keni kthyer në pikë turistike. Të mos ishte për filmin, jo vetëm që nuk do të ishte monumenti i Ollgës, por me siguri që as njerëzit nuk do të shkonin me të njëjtën dëshirë…

Kjo është e vërtetë, ma kanë thënë edhe miq të mi të huaj kur i kam çuar në atë fshat, “Ti duhet të marrësh përqindje nga bizneset”, kanë thënë me të qeshur. Sidoqoftë, edhe për ne xhirimet ishin gati një piknik.

Punët ecnin aq mirë e aq natyrshëm sa na dukej të gjithëve se kishim shkuar për t’u argëtuar. Pa dyshim që ishte komoditet i madh edhe që aktorët i kishin rolet thuajse të përvetësuara, për shkak të teatrit e luanin krejt natyrshëm, i njihnin mirë karakteret.

Ku është xhiruar tjetër veç Tushemishtit?

Ato ishin pjesa më e bukur e xhirimeve, në atë fshat që i ndërton kuzhinat aty ku buron uji, por kaq nuk mjafton për të realizuar gjithçka. Kemi xhiruar gjithashtu në interieret e zyrave në Korçë, ndërsa dekoret janë përfunduar në Tiranë.

Çfarë i është shtuar filmit që nuk e ka pasur teatri?

Një element që ka shkaktuar të qeshura kanë qenë dy binjaket
dhe ngatërresa e Ollgës me to. Vajzat nuk kanë qenë në teatër. Postieri,
batutat me të dhe rrëzimi i tij në lumë janë krijuar për filmin.

Edhe sikur, në njëfarë mënyrë, të ishte në teatër, rrëzimi i Malos në lumë s’do të kishte asgjë të ngjashme me skenën e teatrit…

Në fakt, ajo skenë nuk ka qenë e parashikuar as në film.
Malo nuk e dinte që do të rrëzohej në lumë dhe sa mirë që dolëm këtu, sepse kjo
ishte një anë tjetër e profesionalizmit të Violetës që e bënte atë unike. Unë
fola paraprakisht me të e i thashë që ai nuk duhet ta dijë që do të rrëzohet,
në momentet e fundit ti jepi një të shtyrë që të bjerë në lumë. Ajo, pa rënë
fare në sy, bëri ashtu siç i thashë dhe rezultoi skena që patë…

Asnjë reagim nga aktori Petraq Xhillari apo të tjerë përqark? Në këto raste është thikë me dy presa…

Petraqi nuk tha asgjë, përveç se iu prish ora dhe disa dokumente që kishte në xhepin e xhaketës, mirëpo këtë skenë nuk arritëm ta realizojmë dot që me të parën. Pra, bëmë dubël tjetër sepse në momentin që Malua ra në ujë, afrohet me shpejtësi një banor që rrinte vëzhgonte xhirimet, siç bënin shumë nga banorët e fshatit, hidhet në lumë dhe e shpëton. Unë u nervozova patjetër sepse më prishi skenën, por të papriturave nuk u del dot përpara.

Sot, këto episode kujtohen si më të bukurat. A kujtoni të tjera të ngjashme?

Moment tjetër kur jemi detyruar të ndërpresim xhirimet ka
qenë për shkak të të qeshurave të Koçit, Vasillaq Vangjelit. E bënte në mënyrë
kaq të natyrshme atë të qeshur, saqë nuk mund të përmbaheshim nga të qeshurat
të gjithë. Vite më vonë, kur kam lexuar nga regjisori Milos Forman e kam parë
“Amadeus”, shihja reagimet e të tjerëve që çuditeshin me të qeshurën e
Moxartit. Çuditeshin sepse thoshin se si ishte e mundur që një muzikant i
jashtëzakonshëm të ketë një të qeshur të tillë, që vetëm me muzikalitetin nuk
ka të bëjë. E solla këtë episod për t’iu thënë që në këtë rast e qeshura e
Koçit ishte e realizuar më mirë se e Moxartit.

Do të ishte e çuditshme të mos i kishit ndërprerë xhirimet, por a ju është dashur të bëni shumë dubla për këtë?

Aq sa të na duheshin ne, jo aktorit.

Nuk jam e sigurt nëse e kujtoj mirë atë që më ka thënë Bulku, por di që skena e shirave ka pasur disa peripeci…

Do të kishte pasur nëse do të kishte qenë ftohtë, por jo.
Pastaj aktorët ishin të rinj dhe e përballuan shumë mirë. Kur ne po xhironim,
ndërtohej atë kohë në Qafë-Thanë një tunel dhe gjatë punimeve ata goditën një
damar, që bëri të shpërthente uji në fushën e Domosdovës, por kjo ne nuk na
pengoi, përkundrazi e bëri më reale skenën. Sigurisht që, përveç kësaj
ngjarjeje, ishin aty edhe makineritë e shiut dhe është e vërtetë që aktorët u
lagën deri në palcë, por siç ju thashë, edhe për shkak të moshës, ata e
konsideruan lojë këtë gjë.

Jo shume vite me vone, me pothuajse te njëjtën trupë aktorësh, ju realizuat filmin “Zonja nga fshati”, e megjithatë ky i dyti nuk arriti dot të kishte ndikimin e të parit te shikuesi… Apo, gjërat e mira nuk ngjasin dy herë njësoj…

Jo, “Zonja nga fshati” nuk arriti dot suksesin e filmit të
parë, megjithëse ishim po ata njerëz. Î Nuk di t’ju them për arsyet, sepse
patëm po atë përkushtim e po atë dashuri, por nga ana tjetër, regjisori nuk
mund ta parashikojë suksesin. Duhet të dini që në diktaturë humori është më i
lulëzuar, sepse njerëzit kanë nevojë të shkarkojnë dhe munden ta bëjnë vetëm
përmes humorit. E njëjta logjikë u ndoq edhe më pas, por siç duket pika e fortë
e Ollgës kishte qenë kryeneçësia e saj për t’u përshtatur me një realitet
tjetër, këtë gjë njerëzit nuk e shihnin të ndodhte në realitet, prandaj dhe e
kanë pëlqyer.

Pra kur Ollga u bë njëra prej tyre, u bë e zakonshme…

Mundet por “Zonja nga fshati” pati edhe risitë e veta siç
ishte pjesëmarrja e Robert Ndrenikës dhe kjo ishte një vlerë më vete.
Megjithatë, po ta shohim nga konteksti i sotshëm kohor raportet njerëzore që
janë në të dy filmat, nuk i gjejmë më dhe nga përvoja ime 60-vjeçare më
rezulton që “Zonja nga qyteti” është rasti kur të gjithë elementët filmikë
qëndrojnë mirë me njëri- tjetrin. Shikuesi mundet të mos e kuptojë, por diçka e
vogël të mos shkojë, ndikon në të tërën.

Nuk mund të mendohet, për shembull, filmi me një muzikë tjetër…

Absolutisht jo! Ka qenë një punë shumë e mirë e Agim
Krajkës. Ai kishte emrin e tij pa dyshim, por te filmi “Çifti i lumtur” më
surprizoi vërtet. Kjo bëri që të vijonim bashkëpunimin. I gjithë ekipi ka
qëndruar për më shumë se 1 muaj në Pogradec.

Ç’marrëdhënie krijuat me të gjithë?

Ju thashë edhe më parë që ishte si të ishim të gjithë në një
piknik të gjatë. Piknikut tonë i bashkoheshin gjithmonë edhe fëmijët e banorët
e fshatit kudo që shkonim. Sot, kur shkoj nëpër vendet që kemi xhiruar, më
ndalin njerëz të ndryshëm për të më thënë unë isha kaq e aq vjeç kur ju ishit
këtu me xhirime. Ishte pa dyshim një ngjarje për komunitetin.

Përveç këtyre dy filmave, a patët bashkëpunime të tjera me Manushin?

Pas këtyre filmave, rrethanat erdhën të tilla që ne na duhej
të lëviznim nga apartamenti që kishim qenë dhe u zhvendosëm për rastësi, në
hyrjen e saj të pallatit. Ishim tashmë shumë afër edhe me shtëpi dhe kjo e bëri
marrëdhënien tonë të përhershme. Në shtëpinë e saj, ata djem e vajza që shihni
në film, që nga Rajmonda Bulku e me radhë, hynin e dilnin. Ishte si një
vazhdimësi e filmit, sepse ajo vazhdonte ta konsideronte Mondën vajzën e saj
dhe ‘B’-në, dhëndrin.

Kur ka luajtur me ta, aktorët e tjerë kanë qenë fare të rinj
dhe në një mënyrë, me disiplinën e saj të jashtëzakonshme ajo u bë model për
ta. Të gjitha këto bënë që t’i isha vërtet mirënjohës, prandaj edhe i propozova
një rol të vogël te filmi i saj i fundit, “Trishtimi i Zonjës Shnaider”. Kur
erdhi për xhirime në Çeki, ç’ka ishte edhe një rast për të udhëtuar, u thosha
pjesëtarëve çekë të stafit, shiheni atë grua, është më shumë se 80 vjeç dhe
qëndron në këmbë në pritje të episodit të saj, njësoj siç ka bërë kur ishte 50.
Më vjen keq që Violeta Manushi nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga media këto
vite.

Njerëzit janë gëzuar e kanë qeshur kaq shumë prej saj, ende
vazhdojnë ta bëjnë. Ishte pa dyshim një ngjarje shumë e bukur, monumenti i saj
në Tushemisht e bëri të pavdekshme, por më shumë duhet të flitej për të, ashtu
siç duhej të flitej më shumë për Bekim Fehmiun. Jam plotësisht dakord që të
flitet për Kadarenë, por jo të harrohen të tjerët.

Burimi Panorama /ANI JAUPAJ

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re