Prej 6 muajsh psikologu apo punonjësi social për herë të parë ofron shërbim edhe në qendrat shëndetësore. Por këshillimi psikologjik ka nisur të jepet edhe në shtëpi.

 

Psikologia e qendrës shëndetësore numër 4 në Tiranë, tregon se janë rreth 46 pacientë, të cilëve ajo i ofron shërbim.

 

ALBANA XHEMALI

PSIKOLOGE QSH.4, TIRANE

 

“Shkojmë bashkë me mjekun e familjes. shohim gjendjen e tyre shëndetësore mënyrën si i marrin medikamentet. Në përgjithësi janë mosha mbi 70 vjeç që jetojnë vetëm, që nuk kanë mbështetjen e një familjari, të cilët kanë ankth, por mbizotëron ndjenja e vetmisë tek këta pacientë.”

 

Sipas, psikologes janë të rinjtë ata që e kërkojnë më së shumti këtë shërbim, ndërsa shqetësimet kryesore të tyre lidhen me problemet e shkaktuar nga ankthi dhe stresi.

 

“Moshat 20 -30 vjeç që kërkojnë ndihmë, vijnë me stres ankth pasi nuk e menaxhojnë dot. Edhe tek adoleshentët probleme me ankthin, depresionin, tentativat për vetëvrasje janë prezente. 1 rast që kam pasur kohët e fundit ka qenë një vajzë që kishte tentuar dy herë të vetëvritej dhe që kishte ndërprerë çdo komunikim me prindërit.”

 

Ka një ndërgjegjësim të qytetarëve që kërkojnë ndihmën e specialistit, megjithatë mbetet shqetësim përdorimi i medikamenteve pa rekomandim.

 

“Ata që përdorin medikamente janë nga mosha 30-50 vjeç. Ka raste që kam përdorur në të kaluarën medikamente i kanë ndërprerë dhe rikthehen sërish.”

 

Janë 50 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat ofrojnë këtë shërbim falas, ndërsa 50 të tjera pritet të plotësohen së shpejti për të qenë sa më afër nevojave te qytetareve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re