Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Presidencën e Kosovës, ku është pritur nga kreu i Shtetit, Vjosa Osmani.

Kreu i qeverisë do zhvillojë një takim kokë më kokë me presidenten Vjosa Osmani. Më pas, Kryeministri do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re