Alfred Shehu dhe Elvin Gogaj, të dy prokurorë pranë SPAK edhe pse janë pezulluar nga detyra, me vendim të formës së prerë, vijojnë ende të qëndrojnë në punë. Vendimi i pezullimit të tyre nga detyra si prokurorë të SPAK edhe pse është i formës së prerë nuk është ekzekutuar.

Dy prokurorët u pezulluan pas padisë së prokurores Sonila Muhametaj. Prokuroria pretendoi për padrejtësi në procesin e vlerësimit, sidomos të aftësive profesionale dhe e paditi çështjen në gjykatën Administrative të Tiranës. Gjykata vendosi në favor të saj.

Në vendim thuhet se: “Në  rastet kur gjykata pranon ankimin dhe shfuqizon vendimin e Keshillit, ky i fundit, brenda dy javève nga njoftimi i vendimit gjyqësor, rishikon vendimin e caktimit në pozicion te te emeruarit, në masën e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes së gjykatës”.

Por, edhe pse afatet ligjore kanë përfunduar, pasi këtë të martë janë plotësuar 14 ditë nga dhënia e vendimit, ai nuk është ekzekutuar edhe pse është i formës së prerë.

Fax news u interesua pranë strukturës antikorrupsion lidhur me pezullimin e dy prokorëve. Zyrtarisht SPAK u shpreh se Shehu e Gogaj, vijojnë detyrën pranë SPAK, pasi në këtë institucion nuk ka vendim për pezullimin e tyre. Sipas SPAK këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni që emëron prokurorët.

Në mbledhjen e së hënës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bëri rekurs për pezullimin e vendimit ndaj dy prokurorëve, duke mos zbatuar vendimin e Apelit Administrativ për të rinisur procedurën e konkurimit për plotësimin e vakancave në SPAK.

Për këtë rast Këshilli i Lartë gjyqësor tha se gjykata i ka lënë dy javë kohë që vendimi të zbatohet. Por për shkak se është ushtruar rekurs dhe kërkesë për pezullim ekzekutimi nga Gjykata e Lartë, do pritet reagimi i Gjykatës së Lartë, e më pas do vendoset për këtë çështje duke biseduar në këshill.

Por, referuar ligjit, duke qenë se afati ligjor prej 14 ditësh ka kaluar, mos zbatimi i tij, çon në përgjegjësi penale, referuar nenit  320 te kodit penal.

Gogaj, Shehu dhe Muhametaj kandidonin për dy vende vakante në SPAK. Pas shqyrtimit të kandidaturave, KLP renditi Elvin Gokajn me 216 pikë, Alfred Shehun me 211 dhe Sonila Muhametajn me 208 pikë.

Gjykata ia ka pranuar ankimin dhe ka theksuar se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është dhënë duke ndjekur procedurat e rregullta. Për rrjedhojë është shpallur e pavlefshme renditja e garuesve dhe emërimi i dy prokurorëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re