Orëndreqësi Muharem në pesëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij nuk i kishte folur askujt, nuk ishte shoqëruar me askënd, kurrë nuk ishte ulur në kafe, të kishte shkëmbyer një muhabet, një cigare, apo diçka të ngjashme.

Në lagje, ata që e kishin njohur që në rininë e tij, kështu e mbanin mend sot e pesëdhjetë vjet të shkuara.

Edhe në punë, pasi vendoste në syrin e majtë tejqyrën, mbyllte të djathtin dhe ashtu humbiste për orë të tëra në heshtjen e tij.

Nuk i kishte folur askujt aq gjatë saqë ata që e shihnin dhe e njihnin dyshonin nëse vijonte të dinte të fliste apo kishte harrur.

Kishte që besonin edhe të dytën, mirëpo, sot për sot, nuk jemi në gjendje ta vërtetojmë një gjë të tillë në mënyrë shkencore.

E ndoqa gjatë me sy në bulevard, ndërsa, ashtu siç e kujtonin të gjithë, me xhupin e tij blu, duart në xhep, syzet në ballë, orëndreqësi i lagjes sonë, që nuk ishte shoqëruar kurrë në jetën e tij me njeri, ecte në heshtjen e tij të përjetshme, i pashoqëruar nga asnjë, pa i folur dhe pa u përshëndetur me askënd.

Si ka mundësi? – pyeta veten dhe, aty për aty, iu përgjigja po vet: ndofta s’ka pasur asgjë për të thënë.

Dhe kjo heshtje e përjetshme fisnikëri tregon. Të paktën, në jetën e tij, nuk i ka bërë askujt keq orëndreqësi Muharem./ N. Lapardhaja

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re