Një nga historitë më të dhimbshme e tragjike, që terrorizoi mendimin opozitar dhe vrau perfundimisht shpresën për lulëzimin e vlerave demokratike/perendimore, ekzekutimi politik i deputetëve opozitarë, në vitin 1947, nga regjimi i sapo vendosur i Enver Hoxhës, u përkujtua sot në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Me rastin e 76 vjetorit të kësaj ngjarje, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, organizoi ekspozitën “TË ZGJEDHUR”, me praninë e kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, deputetëve, familjarëve të deputetëve të dënuar, shoqatave të të përndjekurve politikë, përfaqësueseve të institucioneve, përfaqësuesve të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorëve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe të rinj.

 

Ekspozita përkujton “grupin e deputetëve”, fillesa e një opozite demokratike, nëpërmjet tregimit të ngjarjes, kontekstit politik, dokumentacionit të kohës dhe dëshmive të familjarëve, që vijnë për publikun si një kujtim i së kaluarës tragjike të historisë sonë.

 

Të gjithë deputetët e dënuar ishin personalitete me kontribut të spikatur në shoqërinë shqiptare. Ata vinin nga prejardhje të ndryshme shoqërore, arsimore e politike, por bashkoheshin në aspiratën për një Shqipëri moderne, me prosperitet ekonomik e shoqëror dhe për një sistem politik liberal.

 

Takimi u hap me fjalën e mirëseardhjes të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla e cila foli mbi vlerat evropiane të opozitarëve të parë, parlamentarizmin dhe mendimin ndryshe: ” Parlamentarizmi ishte shtylla e parë e sistemit demokratik që u godit, për tu pasuar në vijim nga goditjet e tjera.

 

Dënimi kapital i grupit të deputetëve, i cili në fjalorin politik dhe ligjor të kohës, u quajt “grupi klandestin i deputetëve” për t’i bërë akuzat ndaj tyre më të besueshme, ishte ndër dëshmitë e para që tregoi se rruga ndaj lirisë dhe sistemit demokratik, po ndërpritej dhe konturet e regjimit diktatorial po shfaqeshin.

 

 Me këtë ekspozitë nderojmë sot kujtimin e grupit të deputetëve dhe kontributin e tyre për të ndërtuar një Shqipëri të lirë e demokratike, ëndërr dhe projekt që u ndërpre ende pa nisur mirë. Ju ftoj të gjithëve ta shfrytëzojmë këtë rast si një moment për të reflektuar e shtuar kontributet tona për  konsolidimin e vlerave dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.”

 

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, tha 𝑠𝑒: “Është e rëndësishme të kujtojmë ata që kundërshtuan në mënyrë aktive sundimin totalitar dhe që duhet të zënë vendin e nderit në ndërgjegjen e kombit tonë si heronj të epokës totalitare për shkak të përkushtimit, besnikërisë ndaj idealeve të lirisë, nderit dhe guximit, të cilët ata e paguan me jetën e tyre.”

 

Prof. Dr. Nevila Nika, familjare e fizikanit deputet  Selaudin Tota tha se:  “Familjet e deputetëve të pushkatuar vuajtën pafundësisht, vuajtën moralisht dhe fizikisht, dikush bëri burg dhe internim, e dikush provoi kampet e internimit. Por, edhe ata që qëndruan në qytete vuajtën, nuk kishin  të drejta studimi, të drejta për të punuar në një punë të denjë. Sot, ne nuk i kemi eshtrat e njerëzve tanë për t’i nderuar.  I kërkojmë, ndoshta është shumë e vështirë edhe t’i gjejmë.”

 

Znj. Vera Karbunara, mbesë e deputetit të vrarë Sheh Ibrahim Karbunara dhe djalit të tij Hysen Karbunara: “Dy ditë para arrestimit i thanë të largohej jashtë vendit, po ai ishte i bindur në pafajësinë e tij. Kam bërë vetëm të mira për vendit tim dhe nuk e le edhe sikur të më torturojnë mua dhe fëmijët e mi “, thotë ajo mes emocionesh ndërsa tregon për kalvarin e vuajtjeve që fëmijët, nipër e mbesa kaluan gjatë regjimit komunist.

 

Dy gjyqet e njohura së gjeri si “gjyqet e deputetëve” në shtator 1947  me në krye Shefqet Bejën dhe janar 1948 me në krye Riza Danin, shënuan politicid ndaj të zgjedhurve, dhe të zgjedhurit në këtë rast, bart dy kuptime: të zgjedhurit nga elektorati si deputetë dhe të zgjedhurit nga pushteti për t’u dënuar.

 

Në ekspozitë shpalosen të dhëna që tregojnë se ata u dënuan si grup, por nuk ishin grup, ata ishin opozitarë por jo pjesë e opozitës, madje ishin mandatuar deputetë si pjesë e listave të  Frontit Demokratik. Ishte një nga ato gjyqe ku të akuzuarit kishin avokatë mbrojtës, por avokatët mundën vetëm të luteshin. Deklaratat e të zgjedhurve, të marra shpesh nën presion e torturë, siç do të pohojnë ata që mbijetuan, nuk do të mund të lexohen pa një sqarim të kontekstit, sepse materiali në dosje, është tërësisht i njëanshëm dhe përcjell ende baltë.

 

Për ndërtimin e ekspozitës janë marrë në shqyrtim dosjet hetimore gjyqësore 2224 dhe 1393 si edhe dosjet formulare të Kolë Kuqalit, Selaudin Totos, Halit Gjolenës, Isuf Hysenbegasit dhe Hasan Reçit që gjenden pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Ish –Sigurimit të Shtetit, bashkë me dosjen e grupeve Monarkiste, Social-Demokrate e të Rezistencës dënuar një vit para deputetëve e intelektualëve të marrë në shqyrtim. 76 vite pas dënimit të të zgjedhurve, disa emra janë harruar, për të tjerë nuk ka kush të dëshmojë e shpesh, frika e persekutimit i ka fshirë kujtimet deri te trashëgimtarët. Kjo ekspozitë gjen megjithatë raste kurajoje, mesazhe lirie dhe shembuj qëndrese.

 

Autoriteti thekson bindjen se ndërgjegjësimi i historisë është një nga parakushtet për shmangien e krimeve të ngjashme, për me tepër vlerësimi moral dhe dënimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave me të rinj. Përkujtime si këto duhet të mbahen gjallë për të nderuar viktimat, dënuar autorët dhe për të hedhur themelet për pajtim, bazuar në të vërtetën dhe kujtimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re