Kanë dalë pamjet nga dhoma e hotelit në Dhërmi, ku dyshohet se është vrarë Eraldo Nevruzi, i cili punonte si recepsionist, nga një prej bashkëpronarëve, Gerlad Shehu.

Në pamje shihet që ambienti i dhomës është tërësisht i rrëmujshëm, ku në sy bien rrobat e hedhura në tokë dhe çarçafët e grisura dhe pikat e gjakut.

LEXO EDHE: U arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arratisur drejt Anglisë pasi vrau recepsionistin, gjendet në Sarandë “Audi” i Gerald Shehut

Paola Spahiu, recepsioniste në hotel ka folur mbi ngjarjen e ndodhur në Dhërmi. Ajo tregon detaje se kur kishte nisur pune 31-vjecari dhe mbi kontaktet që autori dhe 31-vjeçari kishin me njeri tjetrin.

Për të dyshuarin e vrasjes së recepsionistit, Spahiu thotë që nuk e njeh shumë dhe se të dy nuk kanë pasur konflikte të mëparshme.

Prononcimi i recepsionistes:

Kur ka filluar punë?

Paola Spahiu: Nuk ka shumë kohë, ka disa ditë, diku te 5 ditë.

Si e njeh ti?

Paola Spahiu: Ishte një tip i lëvizur, nuk është se më është dukur si djalë i rregullt.

Po Geraldin?

Paola Spahiu: Nuk është se kam biseduar shumë me të, më shumë kam biseduar me pronaren se ai ka pasur pjesën e restorantit, nuk është se jemi ndeshur për të biseduar.

Kur e le turnin dje në darkë dhe kush të ndërrojë?

Paola Spahiu: Në orën 22:30 më ndërroi ai, e kisha për ta ndërruar në orën 23:00 , por erdhi më herët.

Ju flini këtu, keni dëgjuar zhurmë pas 23:00. Ndonjë të shtënë?

Paola Spahiu: Jo absolutisht, Isha në dhomë dhe nuk kam dëgjuar asgjë. Unë po rrija në celular.

Ju çfarë kishit parë, a flisnin njëri me tjetrin?

Paola Spahiu: Kjo ishte ajo që na çudiste, sepse nuk kishte asnjë lloj kontakti nga të tjerët.

Kur e morët vesh ngjarjen?

Paola Spahiu: Ngjarjen e morëm vesh nga ora 9:00, sot në mëngjes, kur erdhi mami më solli mëngjesin te dhoma. Me sa thonë këta, tek pjesa e parkimit, tek dhomat e stafit. Do vazhdojmë punë. Policia na mori në pyetje dhe kemi dhënë informacion me pyetjet që na bënë. Ai erdhi këtu dje kërkoi punë si një i panjohur, kërkoi punë si djalë i ri, që po kërkoj punë  dhe kaq. Nuk tha gjë, tha po kërkoj punë për barist, se ishte barist dhe i thanë këta që do pres sa të filloj bari jashtë dhe tha po ashtu deri atëherë hajde puno recepsion.

Po Geraldin e njihje më parë?

Paola Spahiu: Unë personalisht? Jo jo, është e hera e parë që punoj këtu. Ndihem shumë mirë dhe nuk kam ndonjë ankesë në pjesën e sigurisë

 

NGJARJA

Rreh orës 00:30 të ditës së sotme (6 qershor), në një nga dhomat e një hoteli në Dhërmi, Gerald Shehu ka debatuar me 31-vjeçarin Eraldo Nevruzi, i cili ishte i punësuar si recepsionist.

Pas debateve, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, Shehu ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Nevruzin, trupi it ë cilit ende nuk është gjetur.

Ndërkohë, pas ngjarjes Shehu është arratisur në drejtim të Greqisë, por ai u vu në pranga nga autoritetet greke, pasi Policia Shqiptare i njoftoi për ngjarjen dhe u vuri në dispozicion foton.
Ende nuk dihen rrethana të tjera mbi këtë ngjarje apo arsyen që mund të kenë çuar në përplasjen mes bashkëpronarit të hotelit Gerald Shehu dhe recepsionistit Eraldo Nevruzi.

PISTAT

Policia aktualisht ka po heton mbi dy pista të mundshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, e para është ajo e një konflikti momental, ndërsa e dyta për prishje të pazareve të drogës.

Viktima dhe autori ishin miq me njëri-tjetrin, madje të dy kishin pak kohë që kishin ardhur nga Anglia dhe kishin bërë plane për nisjen e një biznesi sëbashku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re