Kurioziteti për drogën dhe lehtësia e sigurimit të saj, qoftë edhe online, e kanë bërë këtë fenomen, tejet shqetësues edhe në moshat shkollore.

“Kam nipin tim që është nxënës i shkollës “Fan Noli”, gjendet në qendër të Tiranës dhe një prej shokëve të klasës, po flasim për fëmijë 10-11 vjeçar, e merr tek cepi i shkollës dhe i thotë: “Do ta provosh pak?”Pak do të jap. Bullizohen…pse djalë mamaje je ti që nuk do ta provosh?”

Statistikat e viteve të fundit reflektojnë rritje të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike. Moshat nën 18 vjeç kryesisht përdorin kanabis por edhe format e reja që kanë hyrë së fundmi.

“Nëse e ka nisur me karamele apo kek, shumë shpejt futet në rrugën e përdorimit primar të drogës. Shqipëria duke patur fluks të madh emigrimi, hyrje dalje, është shumë e vështirë të evidentosh numër të saktë të përdoruesve. Problemi është tek krijimi i varësisë.”, tha Alert Drishti, mjek toksikolog.

Vetëm në muajin janar të këtij viti u arrestuan 301 persona, anëtarë të 11 grupeve kriminale që kishin për qëllim të furnizonin me lëndë narkotike të rinjtë pranë shkollave, lokaleve e rrugicave në qytete të ndryshme të vendit. Në këto kushte, ekspertët e arsimit vërejnë se i duhet dhënë prioritet edukimit për drogën në shkollë.

“Nëse tregoheni të vëmendshëm, edhe fëmijë të shkollave nëntë vjeçare i shikoni në cepat e pallateve duke pirë cigare, drogë, ky fenomen është i dukshëm dhe më vjen keq që shkolla e shikon si një fenomen të jashtëm. Fëmijët e krijojnë rrjetin mes njëri tjetrit në klasë dhe e zbatojnë jashtë por ata duhet të edukohen. Nuk dalin hapur shokët me njëri tjetrin, e bëjnë në formë shakaje, në formë shoqërore e shpërndajnë me njëri-tjetrin por problemi është që krijojnë varësinë. Shkolla duhet t’i tregojë se cilat janë pasojat që shkaktojnë drograt, sepse duket që mungon ky lloj edukimi dhe ata i provojnë për hobi, për qejf, për tu dukur më trendi”, thekson Irsa Ruçi, eksperte arsimi.

Mësuesit shprehen se pas një fëmije që kërkon të provojë drogën nuk qëndron vetëm kurioziteti por edhe problemet sociale, që nisin së pari në familje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re