Qeveria e Maqedonisë nuk lejon edhe një gafë gjuhësore mbi përkthimin e emrit të ri të shtetit. Në momentin kur u propozua emri “Ilindenska Republika Makedonija”, kryeministri Zoran Zaev duke dashur ta shqipëroj e përktheu si “Republika e Maqedonisë Ilinditase”, dhe jo siç duhet të ishte “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.

E tani, pas emrit të ri i cili nga Zaev u tha në gjuhën maqedonase dhe angleze, në opinion nisen debatet se cili do të ishte versioni shqip. Nga qeveria është njoftuar se versioni shqip i emrit “Republika Severna Makedonija”, do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe jo “Republika Veriore e Maqedonisë”.

“Emri zyrtar në gjuhën shqipe i Republikës së Maqedonisë që u arrit ndërmjet dy kryeministrave, do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo u arrit pas konsultimeve me gjuhëtarët dhe ekspertë të cilët i kemi konsultuar, ky do të jetë versioni shqip i emrit”, tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.

Përndryshe, në maqedonisht emri do të jetë “Republika Severna Makedonija” dhe anglisht “Republic of North Macedonia”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re