Nga: Alban Gorishti

Shumë kohë para se Karta e të Drejtave të Amerikës dhe Kontrata Sociale e Rousseau të vendosnin parimin e barazisë, Kurani u shpreh qartë:

“O njerëz! Ne ju krijuam juve nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë kombe e fise, që ta njihni njëri-tjetrin. Me të vërtetë, më i nderuari prej jush në sytë e Allahut, është [ai që është] më i drejtë prej jush. Allahu është i dijshëm”. (49:13)

Pas këtij ajeti mua më lind një pyetje e natyrshme, a mundet të jetë i drejtë një njeri i cili nuk ka një babë dhe një nënë, apo baba dhe nëna e tij nuk lidhen siç duhet të jetë dhe siç ka qënë ligjësia, pra kurora e ligjshme martesore midis një mashkulli dhe një femre? Po ashtu më lind një pyetje tjetër pas të njëjtit ajet, a munden njerëzit të njihen në fise dhe kombe nëse martesat “liberalizohen”,gjinitë përzihen dhe fëmijët nuk arrin dot të dallojnë farefisin e tyre nga farefisi i tjetrit?Nuk dallojnë dot as babë,as nënë,as hallë as teze ,as gjysh as gjyshe etj!!

E tërë kjo që e rrethon njeriun, e ndër to edhe qiejt, dielli, yjet, detet, të cilat ia tejkalojnë njeriut me fuqi me milionë herë, të gjitha janë të krijuara për shërbim të njeriut dhe mbi të gjitha ndjekin një ligjshmëri të caktuar me përpikmëri të lartë. Për shembull, dielli lind çdo mëngjes dhe nuk mund ta shkelë atë ligj, e as nuk mund të thotë se nuk dua të dal,e as nuk mund të thotë: “nuk dua të perëndoj”. Ndërsa oqeanet avullojnë ujin nga i cili avull zbret shiu. Ata asnjëherë nuk thyejnë ligjin e tyre duke thënë se nuk do të avullohen, e as nuk mund ta ndalin avullimin e ujërave nga i cili bie shiu në tokë. Sociologjikisht familja është një fenomen i pashpjegueshëm akoma edhe sot për një sërë mendimtarësh të cilët janë marrë me antropologjinë e epokave dhe  ligjësive në to. Familja si bërthamë e vogël e një shoqërie të madhe  është një manifestim i lartë hyjnor,i një ligjësie e cila siç ka mbajtur  planetet nën një funksionim preciz po ashtu ka mbajtur edhe jetën njerzore të rregullohet sipas kësaj ligjësie, shekull pas shekulli (me të mirat dhe të këqiat) shoqëri pas shoqërie dhe kulturë pas kulture.

Ibn Halduni në el Mukadime mbron pak a shumë këtë tezë :Historia është një pasqyrë e kohës së kaluar dhe asaj aktuale .Çdo gjë që ndodh në kohën tonë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Edhe aktualja është refleksion i të kaluarës. Jeta e njeriut pra përbën një tërësi ku përfshihet e shkuara,aktualja dhe e ardhmja”. Tani për hir të së vërtetës familja dhe njerëzimi në këto kohë ka njohur çrregullime të mëdha  siç edhe në kohët moderne po has me të njëjtat problematika të cilat do të zbehen dhe më pas, siç e do edhe ligjësia e Zotit, ajo ka për tu riafirmuar përsëri si i vetmi institucion prej të cilit kanë dalë njerëz me një vetpërcaktim identitar  të cilët nuk kanë nevojë për shoqata apo konventa t’ua sqarojë se cilit identitet i përkasin,apo cilës gjini.

“O Adem, ti dhe gruaja jote banoni në xhenet…”Araf 19

Kur dëgjojmë fjalën “xhenet” mendja jonë na shkon në xhenetin botës së ardhshme, ngase ai është xheneti i amshueshëm. Por Allahu xh.xh. fjalën “xhenet” e ka përdorur në Kur’anin fisnik në disa kuptime. Fjala “xhenet” në kuptimin gjuhësor ka domethënien e një vendi ku ka pemë të shumta dhe të llojllojshme, e kur njeriu shkon në atë vend, ato pemë i bëjnë perde me degët e tyre të dendura. Ata që janë jashtë atij kopshti nuk e shohin atë njeri, njëkohësisht ai njeri gjen në të, të gjitha mjetet për jetesë. Ndaj ai nuk ka nevojë të dalë prej tij. Ky është kuptimi gjuhësor i fjalës “xhenet”. Nuk e di përse, por nëse do ta krahasoja në mënyrë metaforike xhenetin do ta përafroja atë  me sigurinë,ngrohtësinë,dashurinë dhe mirqënien shpirtërore që të dhuron familja,me stabilitetin emocional që vetëm strukturat e saj dinë të emetojnë dhe mbi të gjitha me aftësinë që ka ky “xhenet” për tu trashëguar brez pas brezi si asnjë martesë tjetër apo lidhje konvencionale. Ndaj në njëfarë mënyre Zoti e ka vendosur njeriun në”xhenetin” e kësaj bote në mënyrë që të mbrrijë edhe xhenetin e tjetrës,atë  në të cilin do të hyjnë ata që e kanë ruajtur këtë “xhenet” gjatë jetës së kësaj bote,por kurrsesi ata që e kanë rënuar atë . E nëse lidhjet familjare i ngjasojnë xhenetit në këtë botë po aleancat që duan ta prishin këtë lidhje si mundet ti konsiderojmë sipas një llogjike të kundërt?

Pejgamberi ynë alejhi selam i kushtonte shumë rëndësi familjes aq sa sakrifikonte nga vetja e vet për të mbrojtur sigurinë dhe mirqënien e tyre. Kështu Enesi r.a. tregon: “Ishim me Pejgamberin a.s., kur po ktheheshim nga Usfani. I Dërguari i Allahut a.s. po ngiste devenë e tij ndërsa pas vetes kishte hipur Safijje bint Hujejin(gruaja e tij). Deveja e tij rrëshqiti dhe të dy u rrëzuan. Ebu Talha u hodh nga deveja e vet dhe thirri: “O i Dërguari i Allahut! Allahu më bëftë kurban për ty!” Ai a.s. i tha: “Kujdesu për gruan.” Kësisoj Ebu Talha mbuloi fytyrën e vet me një rrobë, iu afrua Safijjes e mbuloi atë me rrobën. Pastaj e përgatiti devenë e tyre dhe të dy hypën në të. Më pas ne të gjithë e rrethuam të Dërguarin e Allahut a.s. si mbulesë. Kur iu afruam Medines Pejgamberi a.s. tha: “Po kthehemi të penduar, adhurues dhe falënderues të Zoti tonë”. Ai nuk reshti së përsërituri këto fjalë, derisa hymë në Medine. (Buhari me nr 3085)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re