Romina Sepaj, aktiviste dhe drejtuese e Qendrës për Mbrojtjen e të drejtave të Romëve ka folur për Fax News rreth kushteve të tyre të jetesës dhe dhunës që sipas saj ushtrohet nga efektivët e policisë përfshirë edhe bashkiake në rastet kur anëtarët e këtij komuniteti kapen duke mbledhur mbetje.

Ajo tha se egjiptianët dhe romët nuk janë përkrahur aspak gjatë pandemisë, ndërsa bën apel që puna e tyre të njihet nga institucionet dhe të formalizohet duke ju siguruar edhe kushte më të përshtatshme.

“Janë rreth 1800 raste me gjobvënie, janë ndaluar, sekuestruar mjetet, ka edhe raste që janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë. Kemi pasur shumë raste të dhunës policore, kapin personat e komunitetit rom duke mbledhur mbetje, dhe i gjobisin dhe ua sekuestrojnë me arsyetimin e se janë pronë e bashkisë, menaxhohen prej saj. Ka tejkalime të kompetencave, ka ushtrim dhune fizike, është duke u sistematizuar dhuna e ushtruar ndaj familjeve të varfëra. Kemi raste që vijnë dhe flasin me ne, por e kemi të vështirë ta faktojmë, videot në internet kapen kryesisht nga kalimtarët e rastit dhe nuk kemi si i identifikojmë.

Ne i kemi propozuar qeverisë, që më të këputurit kanë qenë romët dhe egjiptianët gjatë pandemisë, dhe të pa përkrahur në asnjë mënyrë, qeveria përmes një procesi të  përkrahi këto kategori. Me 1100 firma kemi firmosur një peticion ndaj qeverisë dhe ministrive të linjës që të marrin në konsideratë kërkesat e këtyre familjeve që ta bëjnë këtë punë përmes kushteve më të mira, regjistrimit të tyre, të paguajnë edhe taksa në shtet dhe të njihen.

Një anëtar i komunitetit rom, i ri në moshë tha se ka në familjen e tij 8 anëtarë, as nuk ka marrë ndihmë nga shteti, dhe nga ana tjetër nuk lejohet të dalë dhe të mbledhë mbetje. Ai ka treguar edhe disa raste kur i është sekuestruar thesi me mbetje, ndërsa shpesh përballet edhe me dhunën dhe forcën e policisë.

Në vendet ku ka punuar apo që është interesuar për punë është përballur me paragjykimin dhe racizmin, ndërsa në njërën prej vendeve ku ka punuar nuk i paguanin sipas tij sigurimet shoqërore ndërsa në tjetrin e gënjyen duke i dhënë pmë pak para nga sa i premtuan.

“E fsheh thesin kur mbledh mbeturinat, se një rast në Astir më morën një thes, më tha madje polici më ndihmo, por ti po mi merr i thashë. Në Vaqarr më kanë marrë me dhunë dhe forcë 6 thasë, me këtë punë mbaj familjen, jemi 8 anëtarë, u futa te riciklimi, u mbyllën prej koronës, pagën prej 400 mijë lekësh që tha Edi Rama nuk na i dhanë, Irisi i Bashkisë më çoi tek Eco Tirana, nuk ishim as të regjistruar. Më kanë marrë në burg, se ishte motori i paidentifikuar, pa letra. Ishte motori i komshiut, ia mora për punë për të dalë, më lanë detyrim paraqitje 4 muaj, shërbimi i provës, i lava çdo muaj, duheshin 300 mijë lekë të merrja motorin.

Unë jam hallexhi i thashë, mbaje se s’ka gjë. Shkruaje këtu më tha që se do motorin, thashë nuk kam shkollë nuk di. Ika, nuk ma dhanë. Dal natën, se ditën më kap policia. Deri në ora 3-4 punoj, natën nuk ka lëvizje shumë. Janë disa që na marrin thasët dhe i shesin edhe vetë. I marrin të bëjnë foto dhe i çojnë, disa nuk i çojnë fotot, i marrin dhe ikin. Në treg nuk të lënë të dalësh të shesësh, ku të shkojmë çfarë do ushqehemi ne. Më thanë tek Kaoni, 360 mijë lekë dhe më dhanë vetëm 260 mijë, e lashë. Kam një djalë, po nis të dytin. Sa të shohin dorë e zezë nuk të marrin në punë fare, nuk kemi thonë. Te Eco Tirana më tha nuk ka vende”, tha ai.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re