Nga Oljana XHAFA –

Sapo kalon qytetin e Beratit duke u ngjitur drejt një rruge dikur të rëndesishme qe lidhej me Janinën të shfaqet një krahine që ka ‘’asgjë ‘’ dhe ‘’gjithcka’’.

Asgjë sepse në rrugën e karvanëve ushtritë pushtuese të pritura të historisë duket sikur kanë lënë mallkimin e tyre për të mos e zhvilluar më kurrë dhe gjithçka sepse natyra dukshëm i ka falur bukurinë.

Treva e Terpanit apo Krahina e Ballollit ruan në gjirin e saj thesare të një kulture e qytetërimi të hershëm.

Nisur që nga rruga,një nyje shumë e rëndësishme që lidhte Beratin me zonat e tjera të jugut dhe përfundonte në Janinë.

Kjo rrugë tashmë ka lënë me dhjetra fshatra të mahnitshëm për nga bukuria e pasuria që ofrojnë,por të mbytur thellë në trishtim e varfëri nga mungesa e vëmendjes.

Te dhënat historike e shfaqin një nga fshatrat e kesaj zone Drobonikun i cilësuar si’’ Ballkoni i Beratit’’ që në vitin 1431 në regjistrin e plotësuar nga osmanët.Pjesë e tij është edhe kisha e Shën Mitrit e ndërtuar në shekullin e XV.

Historia e këtyre fshatrave shfaqet edhe nëpërmjet udhëtareve e kronikanëve të njohur si ai osman Evlija Celebi i cili përshkoi Drobonikun e Zhitomin, ai anglez William Martin Leak, Thomas Smart Hughes, gjeografi britanik Henri Tozar i cili shkeli Tozharin, Plashnikun, Zhapokiken, Gllaven e me radhë fshatrat e kësaj krahine. Këta janë dëshmitarë të ekzistencës dhe rëndësise së kësaj rruge.

Një fakt i rëndesishëm i lashtësisë dhe rëndësise së kësaj zone janë edhe rrënojat e mbetura të kalave të Vokopolës, Paraspuarit, Plashnikut dhe Vojakut.

Treva e Tërpanit dhe rruga që lidh zonat e saj njihen për pritjen e trupave të huaj, të atyre grek në 1914 ku në Tërpan u shpartalluan nga cetat vendase ,pushtuesit italian më 1941 dhe gjerman më 1944.

Në 1834 ne Berat shpërtheu kryengritja osmane ku kryengritësi Tafil Buzi erdhi nga fshati i tij së bashku me 10000 vullnetarë që përfshinin dhe banoret e këtyre fshatrave.

Nga këto zona kanë dalë dhe dy firmetarë pavarësie Ferit Vokopola dhe Bab Dud Karbunara.

E realiteti i sotëm është shumë i ndryshëm nga ajo ç’ka paraqet lavdia e historisë.

Duket sikur gjurmët e një rruge dhe krahine historike janë të rrënjosura thellë në tokë dhe nuk i shkul dot as mungesa e vëmendjes dhe as ajo e investimeve. Kudo ndjehet braktisje dhe jo nga dëshira, por nga pamundësia për të jetuar.

E si mund të jetohet pa rrugë,pa shkolla ,pa qendra shendetësore, pa spitale?!

Ky nuk duket si realiteti i 2019 ,por si një kthim shumë mbrapa në kohe. E nëse takon banorët e këtyre zonave njerëz mikpritës,bujar e punëtorë,ruajtës të traditave dhe zakoneve e vetmja gjë që mund t’u japi një fije shpresë është rruga.

Kjo vjen gjithmonë e shfaqet mes premtimeve elektorale boshe ,por sapo kalon kjo fazë ngelemi perseri aty. E kur politikanët tanë luftojnë për karrige e pushtet,realiteti jashtë atyre kornizave është shumë i hidhur.

Realitet ky që ka lenë me qindra mijëra njerëz të këtyre fshatrave në një botë shumë larg asaj të europianizimit dhe dixhitalizimit që flitet. E në do të shikosh nivelin e zhvillimit të një vendi shiko nivelin e rrugëve dhe të shkollave nivel ky qe në këto zona lë shumë për të dëshiruar.

Këto fshatra kanë nevojë për ndihmë,për vëmendje,për investime ,thërrasin me zërin që ecën përhumbur nëpermjet rrugës së shkatërrur e të vetmuar ,por duket se nuk kanë arritur të depërtojnë në vendin e duhur.

Këta njerëz jetojnë me shpresë se ndoshta një ditë mund të bëhet diçka dhe për ta.

Na ngelet vetëm të besojmë e të shpresojmë se mund të behet diçka për ta nxjerë këte krahinë historike nga zymtësia në të cilën ndodhet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re